Çka e dallon Tribunalin e Hagës me Gjykatën Speciale Foto: REL

Çka e dallon Tribunalin e Hagës me Gjykatën Speciale

15 December 2018 17:41

Rastet e dyshuara për krime lufte në Kosovë, që nga viti 1999 e këndej janë trajtuar në formë të ndryshme nga organet e drejtësisë, kryesisht ato ndërkombëtare.

Fillimisht, me këto raste është marrë administrata e Kombeve të Bashkuara - UNMIK, e cila kishte shtrirë pas luftës së fundit edhe sistemin e saj të drejtësisë në Kosovë, si dhe Gjykata Ndërkombëtare për Krime Lufte në ish-Jugosllavi, me seli në Hagë të Holandës, e themeluar nga Kombet e Bashkuara.

Më pas, këto raste u trajtuan edhe nga drejtësia e Bashkimit Evropian, përmes misionit të EULEX-it.

Ndërkaq, aktualisht, këto raste i kanë marrë përsipër Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar, të njohura ndryshe edhe si Gjykata Speciale.

Këto Dhoma të Veçanta apo kjo Gjykatë Speciale për krime lufte në Kosovë pritet të hetojë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që siç thuhet, ‘i kanë kryer ndaj pjesëtarëve të komuniteteve pakicë dhe kundërshtarëve politikë nga viti 1998 e deri në fund të vitit 2000’, siç e ka përshkruar në raportin e tij për Këshillin Evropian senatori Dick Marty.

Risia e trajtimit të rasteve të dyshuara, tani qëndron te fakti se Dhomat e Specializuara edhe pse të përbëra nga gjykatës e prokurorë ndërkombëtarë dhe me seli në Hagë, do të funksionojnë me Kodin Penal dhe ligjet e aplikueshme të Kosovës.

Zyrtarët e Gjykatës Speciale kanë deklaruar se puna është duke vazhduar në përputhje me mandatin e këtyre institucioneve gjyqësore të Kosovës.

Profesori i së Drejtës Penale Ndërkombëtare, Ismet Salihu, duke folur për Radio Evropa e Lirë, thotë se ingerenca, kompetencat dhe juridiksioni i Gjykatës Speciale, në krahasim me Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë është i njëjtë. Por, ka dallime vetëm forma e themelimit, qëe përcakton edhe me cilat ligje do të veprojë kjo gjykatë.

“Dallimi esencial, krucial, vendimtar, është se kjo gjykatë është themeluar nga Kuvendi i Kosovës me ligjin e Kosovës. Ky është dallimi i parë në krahasim me Tribunalin e mëhershëm. Kjo gjykatë do të gjykojë sipas ligjit të aprovuar dhe ligjeve penale që kanë qenë dhe që janë në fuqi në Kosovë. Përndryshe, të tjerat dallime janë se është e themeluar në Kosovë, por selinë e ka në Hagë. Kurse, kompetencat dhe juridiksioni është i njëjtë sikurse i asaj gjykatës së mëhershme të Tribunalit të Hagës”, shpjegon Salihu.

Shkrimin e plotë e gjeni në Radion Evropa e Lirë.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme