EULEX-i lehtëson shkëmbimin e informatave të Policisë e organizatave ndërkombëtare

Ridvan Hamza Ridvan Hamza 16 March 2019 19:15

Pavarësisht ndryshimit të mandatit të EULEX-it, gati një vit më parë, një njësit i saj ka ruajtur intensitetin e punës.

Është ky njësiti për bashkëpunim policor ndërkombëtar që udhëhiqet nga Vincezo Cardinale, i cili lehtëson shkëmbimin informatave mes Policisë së Kosovës dhe organizatave si INTERPOL e EUROPOL, pjesë e së cilave, deri tani, Kosova ka dështuar të bëhet anëtare, raporton KTV.

E, në mesin e përgjegjësive të kësaj zyre, është edhe bashkëpunimi me Ministrinë e Punëve të Brendshme të Serbisë, si rezultat i një marrëveshjeje atëherë të kundërshtuar fuqishëm nga politika kosovare, nënshkruar në vitin 2009.

Viti 2018 ka qenë i ngjeshur, me rreth 1,700 kërkesa ndërmjetësimi nga Interpoli.

“Në vitin 2018, sa i përket volumit të shkëmbimit të informatave të Njësitit, kemi menaxhuar rreth 1,700 kërkesa nga kanali i INTERPOL-it, rreth 200 kërkesa lidhur me protokollin e bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Serbisë dhe EULEX-it dhe rreth 50 raste të EUROPOL-it”, ka thënë Vincenzo Giancarlo Cardinale, Shef i njësitit për bashkëpunim policor ndërkombëtar.

Policia e Kosovës, përmes njësitit të saj për bashkëpunim ndërkombëtar në zbatimin e ligjit, ILECU, tashmë ka arritur të përfshihet në operacione që lidheshin me migrimin ilegal, e që kanë qenë të koordinuara ndërmjet disa shteteve.

“Kjo do të thotë se planifikuam në të njëjtën ditë, në të njëjtën kohë, një operacion të madh në disa shtete. Për shembull rasti “PINK”, 19 shtete marrin pjesë në operacionin përfundimtar. 119 kriminelë ishin arrestuar, prej tyre 19 në Kosovë”, ka shtuar Cardinale.

Por, në vitet e fundit, njësiti që udhëhiqet nga Kardinale, është fokusuar në përgatitjen e Policisë së Kosovës për ballafaqimin me sfidat të reja të krimit të organizuar.

Me avancimin e teknologjisë, edhe grupet kriminale janë më të sofistikuara - shprehet Cardinale.

“Ditëve të sotme, Policia e Kosovës po ballafaqohet me forma të reja të aktivitetit kriminal, në veçanti me krimin kibernetik, dhe po e përqendron vëmendjen e saj në forma si mashtrimet me dokumente, shpëlarje parash, shitjen e mallrave dhe shërbimeve të paligjshme”, deklaroi ai.

Policia e Kosovës, sipas tij, do të përfitonte nga anëtarësimi në organizata si Interpol-i, pasi që, sipas tij, kërcënimet kriminale kërkojnë veprim të përbashkët dhe nuk mund të eliminohen nga një shtet i vetëm.

Për të qenë në hap me këto zhvillime të formave të kriminalitetit, ky njësit ka organizuar trajnime e vizita studimore në shtete të ndryshme, për përfaqësues të Policisë së Kosovës.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme