General Electric do të ndërtojë Kosovën e Re

General Electric do të ndërtojë Kosovën e Re

03 May 2019 12:20

Contour Global dhe Qeveria e Kosovës njoftojnë se konsorciumi i kompanive të General Electric ("GE") është përzgjedhur si Ofertuesi i Preferuar në tenderin për Inxhinieringun, Prokurimin, Ndërtimin ("EPC") dhe Mirëmbajtjen Afatgjatë ("LTM") për Projektin e Termocentralit ‘Kosova e Re’.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik i Kosovës, Valdrin Lluka ka thënë se Qeveria e Kosovës është e kënaqur me interesimin e madh të tregut për projektin Kosova e Re, transmeton KosovaPress.

“Projekti pasqyron nevojën për kapacitet shtesë energjetik për të përmbushur nevojat afatgjate të sigurisë së furnizimit me energji elektrike në Kosovë. Përzgjedhja e GE-së si Ofertuesi i Preferuar e vë Kosovën një hap më afër arritjes së një rezultati të suksesshëm të këtij procesit të filluar shumë kohë më parë me mbështetjen e shumë institucioneve ndërkombëtare. Qeveria do të marrë pjesë në procesin e negociatave me qëllim të përmirësimit të mëtejmë të kushteve në interes të qytetarëve të Republikës së Kosovës. Zbatimi i suksesshëm i këtij projekti ka potencialin për të ndryshuar perspektivën e përgjithshme ekonomike të vendit.”

Prapavija e Termocentralit Kosova e Re

Ky projekt shënon një hap të rëndësishëm për ekonominë e Republikës së Kosovës dhe do të përfaqësojë investimin direkt të huaj më të madh të bërë ndonjëherë në vend. Termocentrali do të furnizojë ngarkesën bazë energjetike tejet të nevojshme me çmimin më të lirë të mundshëm dhe në mënyrë të besueshme për të përmbushur kërkesën në rritje për energji elektrike në Kosovë në mënyrë të pavarur, pa u mbështetur në import. Gjatë dekadës së fundit Republika e Kosovës ka importuar energji elektrike ne vlerë mbi 500 milionë euro. Duke përdorur teknologjinë më të fundit dhe burimet e bollshme vendore të lëndës djegëse, ‘Kosova e Re’ do të jetë një nga termocentralet më bashkëkohore me qymyr në botë.

‘Kosova e Re’ do të jetë instrumentale për rritjen e cilësisë së jetës së njerëzve. Termocentrali do të rezultojë në përmirësimin e konsiderueshëm të cilësisë së ajrit duke reduktuar emetimet e ndotësve kryesorë dhe do të kontribuojë në përmirësimin e shëndetit të njerëzve që jetojnë dhe punojnë në rajon. Emetimet e pluhurit do të reduktohen me 93%, ndërsa SOx dhe NOx do të reduktohen me 85% dhe 93% respektivisht, me CO2 të ulur për 38%.

Termocentrali i ri do të ndihmojë në rritjen dhe mbështetjen e zhvillimit ekonomik të Kosovës. Duke ofruar siguri afatgjatë të furnizimit, ‘Kosova e Re’ do t'i japë fund humbjeve vjetore prej 300 milion euro të shkaktuara nga furnizimi aktual i pasigurt i energjisë elektrike në Kosovë. Kjo do të krijojë një ambient atraktiv për investimet e huaja direkte dhe do të mbështesë rritje në ekonomi. Vlerësohet se ky investimi madhor i ContourGlobal do të rrisë bruto produktin vendor (GDP) afatmesëm për së paku 2%, duke nxitur rritje ekonomike vendore dhe rajonale.

Siç është njoftuar shtatorin e vitit të kaluar katër kompani të parakualifikuara u ftuan të paraqesin propozimet e tyre teknike dhe financiare.

GE, ContourGlobal dhe Qeveria e Kosovës planifikojnë qe të vazhdojnë negociata të mëtejshme me qëllim të arritjes së një marrëveshje mbi kushtet përfundimtare.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme