Kosnetti me kritika të ashpra për Ministrinë e Drejtësisë Foto: Alban Bujari / Koha

Sqarimi i Ministrisë së Drejtësisë rreth deklaratës së Kosnett-it

21 June 2019 17:50
19:34

Përmes një deklarate, Ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri ka reaguar në lidhje me citimin e Ambasadorit Amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, rreth lajmit për lirimin e një të dënuari me 15 vjet burgim për krime lufte në “Rastin Kukësi”.

Ai thotë se Kosnett, i ka cituar tërësisht në mënyrë të gabuar kompetencat që ushtron Ministria që ai drejton, me rastin e raportimit të një vendimi për pezullim të burgimit që i është bërë një individi të caktuar.

“Dëshiroj të sqaroj opinionin e gjerë, ambasadorin Kosnett dhe mediat e respektuara se Ministria e Drejtësisë nuk ka asnjë kompetencë ligjore për të liruar nga vuajtja e dënimit, apo pezullimi i dënimit për asnjë person”, ka thënë ai.

Tahiri thotë se, e vetmja kompetencë që ndërlidhë Ministrinë e Drejtësisë me personat e dënuar, është menaxhimi me Qendrat Korrektuese, të cilat, në secilën rrethanë që ndërlidhet me lirimin apo mbajtjen e personave të dënuar brenda burgjeve, zbatojnë vendimet e organeve të pavarura, përkatësisht vendimeve gjyqësore, siç ndodhë rëndom në shtetet ku sundon rendi dhe ligji.

“Unë kërkoj dhe ftoj që gjeneruesit e këtij lajmi, si dhe Ambasadori Kosnett, të kenë referencë të saktë ligjore mbi procedurat që ndiqen për të liruar ose mbajtur dikë brenda qendrave korrektuese”, thuhet në reagim.

Ai thotë se, pas verifikimit të këtyre procedurave, besoj se do ta kenë të qartë se lajmi i lansuar nuk ka asnjë ndërlidhje të asnjë forme me Ministrin dhe me Ministrinë e Drejtësisë.

“Për fund, dëshiroj të siguroj qytetarët dhe partnerët tanë, se konsolidimit të shtetit ligjor dhe reformave që e bëjnë të mundur atë, jemi duke i kontribuar pareshtur dhe do t’i kontribuojmë në vazhdimësi, duke llogaritur vazhdimisht edhe në ndihmën e tyre”, përfundon Tahiri.

17:50

Kosnetti me kritika të ashpra për Ministrinë e Drejtësisë

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett përmes një postimi në Twitter ka kritikuar Minsitrinë e Drejtësinë për lirimin e një të dënuari me 15 vjet burgim për krime lufte në “Rastin Kukësi”.

Ai ka thënë se duhet të ndalet abuzimi i sistemit të drejtësisë, transmeton Koha.net.

“Ministria e Drejtësisë nënshkroi lirimin e një të dënuari për krime lufte, i dënuar me 15 vjet në rastin e Kukësit, i cili ka vuajtur dënimin më pak se 12 muaj në 3 vitet e fundit. Abuzimi i rregullt nga kriminelët e lidhur me sistemin e pushimit mjekësor dhe dënimet e suspenduara duhet të ndalen”, ka shkruar Kosnett në Twitter.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme