MD-ja shpërndan certifikatat për noterët e rinj ndonëse konkursi po hetohet nga Anti-Korrupsioni

Ridvan Hamza Ridvan Hamza 24 July 2019 21:16

E mërkura ka qenë dita kur kandidatët që kaluan provimin për noterë kanë marrë certifikatat në Ministrinë e Drejtësisë.

Në mesin e tyre kishte pritur të jetë edhe Labinota Qosa-Ilazi, e cila e kishte kaluar provimin me shkrim dhe, pavarësisht bindjes se kishte kaluar edhe provimin me gojë, i kishte dalë e kundërta, raporton KTV.

Pavarësisht ankesës, ajo nuk ka marrë përgjigje, çka edhe i ka pamundësuar të nisë kontest ligjor.

Në anën tjetër, përveç njoftimit për shpërndarjen e certifikatave, Ministria e Drejtësisë menjëherë ka hapur konkursin për zgjedhjen 79 noterëve, që do të punojnë në 35 komuna të vendit.

Shqetësimet e ngritura nga mediet dhe shoqëria civile për politizim dhe konflikt të interesit, nuk e kanë penguar procesin.

Në Institutin e Kosovës për Drejtësi, konsiderojnë se Ministria e Drejtësisë, respektivisht qeveria në largim, nuk e ka legjitimitetin të vazhdojë tutje me këtë proces, për më tepër që mbi të njëjtin rëndojnë dyshime të tilla.

Ndërprerjen e procesit e ka kërkuar edhe kryetarja e Komisionit për Legjislacion, deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu.

Haxhiu e ka vlerësuar si shqetësuese që në këtë situatë, nuk ka vepruar me urgjencë Agjencia Kundër Korrupsionit, përkundër fakteve që janë shfaqur në media.

Kjo e fundit, në një përgjigje për KTV-në, ka konfirmuar se kanë kërkuar informacione zyrtare edhe nga Ministria e Drejtësisë dhe procesi është duke u shqyrtuar.

“Agjencia Kundër Korrupsionit është në proces duke analizuar të gjitha

provat e ofruara dhe në momentin e nxjerrjes së një përfundimi për këtë,

ato do t'i bëjë publike,” thuhet në përgjigjen e tyre.

Derisa Ministria e Drejtësisë, sërish ka heshtur dhe nuk është përgjigjur në pyetjet e televizionit për këtë temë.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme