Me gjithë rënien e Qeverisë, në vikend MD-ja interviston 167 kandidatë për noterë

Me gjithë rënien e Qeverisë, në vikend MD-ja interviston 167 kandidatë për noterë

Besjana Bajrami 15 August 2019 22:18

Këtë vikend, 167 kandidatë do t’i nënshtrohen intervistimit për noterë. Kështu ka njoftuar të enjten Ministria e Drejtësisë.

17 dhe 18 gushti do të jenë vazhdimësi e procesit të Noterisë, të cilin edhe pse dorëheqja e Qeverisë e zuri në gjysmë, ai nuk po ndalet.

E një vazhdimësi e tillë po shihet si problematike sepse vendi është në prag të zgjedhjeve, e qeveria është e dorëhequr.

Në njoftimin e Ministrisë, që nuk i është dërguar mediave, por është publikuar në faqen zyrtare të këtij dikasteri, bëhet me dije se cilët janë kandidatët që do të intervistohen. Por aty nuk janë dhënë detaje të tjera, përfshirë edhe anëtarët e Komisionit që do të kryejnë intervistat.

Flutura Kusari, juriste e së drejtës për media, ka thënë për Koha.net se procesi i përzgjedhjes së noterisë është procesi më i ndikuar politikisht dhe me i korruptuari në historinë e re të Kosovës.

Sipas saj, politikanët kanë zgjedhur familjarët, miqtë dhe mikeshat e tyre për noterë në një proces të fshehtë, larg syrit të publikut.

“Noterët e zgjedhur pa merita dhe në bazë të preferencave politike janë aty vetëm për legalizimin e pasurisë së fituar në mënyrë të jashtëligjshme. Një gjë e tillë i konvenon kriminelëve”, thotë ajo.

Sipas saj, PDK-ja por edhe parti të tjera të vogla kanë nevojë për para kesh, para zgjedhjeve dhe procesi i noterisë ka ardhur në momentin e duhur për ta.

Kusari thotë se trashëgimia e Ableard Tahirit do të jetë përzgjedhja e noterëve me një proces të korruptuar që do të njihet si hajnia më e madhe e dirigjuar dhe orkestruar nga ky ministër, shokët dhe shoqet e tij.

Koha.net ka provuar të enjten mbrëma ta kontaktojë ministrin në detyrë të Drejtësisë, Abelard Tahiri, për ta pyetur rreth këtij procesi, mirëpo ai ka qenë i paqasshëm.

Koha Ditore në fillim të këtij procesi pati raportuar se rreth 60 kandidatë që kanë kaluar provimin me shkrim për noterë janë anëtarë të partive politike, familjarë të tyre apo njerëz të lidhur me sistemin e drejtësisë.

Kujtojmë se menjëherë pas dorëheqjes nga posti i kryeministrit, Ramush Haradinaj qe kthyer për të mbajtur mbledhjet e qeverisë e më pasi kërkoi interpretim nga Gjykata Kushtetuese nëse duhej të vazhdonte apo jo.

Ndonëse ende nuk ka ndonjë përgjigje nga Kushtetuesja, analistët në vazhdimësi kanë thënë se Qeveria e dorëhequr nuk ka të drejtë të marrë vendime, dhe në një situatë të tillë, vendimi i Ministrisë së Drejtësisë për të intervistuar kandidatët është i paligjshëm.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme