Ministria e Drejtësisë merr opinionin e Agjencisë Kundër Korrupsionit, “s’ka konflikt interesi në provimin e noterisë” Foto: Koha

Ministria e Drejtësisë merr opinionin e Agjencisë Kundër Korrupsionit, “s’ka konflikt interesi në provimin e noterisë”

08 October 2019 15:07

Ministria e Drejtësisë ka njoftuar se ka pranuar opinionin e Agjencisë Kundër Korrupsion, përmes së cilës thotë se është konstatuar se s’ka pasur konflikt të mundshëm interesi në provimin e noterisë.

Sipas MD-së, në opinionin e vet AKK-ja ka thënë se është shmangur konflikti i interesit nga anëtarët e komisionit për dhënien e provimit të noterisë

“Është identifikuar, është deklaruar dhe është shmangur konflikti i interesit nga Anëtarët e Komisionit për dhënien e Provimit të Noterisë, në pajtim me nenin 6, paragrafi 3 i Udhëzimit Administrativ MD- NR. 01/2019 për mënyrën e dhënies dhe programin e Provimit për Noterinë”, thuhet në opinionin e AKK-së, sipas MD-së.

“Është nënshkruar deklarata e fshehtësisë nga Anëtarët e Komisionit për dhënien e Provimit të Noterisë, në pajtim me nenin 13 , paragrafi 2 i Udhëzimit Administrativ MD Nr.01/2019, për mënyrën e dhënies dhe programin e provimit për Noterinë si dhe janë zëvendësuar me të tjerët, të gjithë Anëtarët e Komisionit që kanë deklaruar konflikt të interesit me ndonjë nga pjesëmarrësit në provim”, thuhet në opinionin e AKK-së, gjithnjë sipas Ministrisë së Drejtësisë.

“Ky opinion nga institucioni kompetent për vlerësimin e gjendjes ose jo të konfliktit të interesit, i hedhë poshtë të gjitha dyshimet eventuale dhe konfirmon legjitimitetin e plotë të reformës që është duke u zbatuar. Ministria e Drejtësisë është e angazhuar për t’i ofruar qytetarëve të Republikës së Kosovës një sistem noterial profesional, efikas dhe të qasshëm që është në shërbim të drejtpërdrejtë ndaj tyre dhe qasjes në drejtësi si një nga komponentët themelore të sistemit të drejtësisë”, thuhet në fund të njoftimit nga kjo ministri.

Më shumë se 50 kandidatë që kanë kaluar të gjitha fazat testuese për noterë janë të afërm apo familjarë të zyrtarëve të PDK-së dhe të anëtarëve e komisionit.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme