SHBA-ja dhe BE-ja kërkojnë formimin e shpejtë të Qeverisë dhe rinisjen e dialogut me Serbinë Foto: Koha

SHBA-ja dhe BE-ja kërkojnë formimin e shpejtë të Qeverisë dhe rinisjen e dialogut me Serbinë

Fitim Gashi Fitim Gashi 09 October 2019 07:00

Për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britaninë e Madhe dhe Bashkimin Evropian rezultati i zgjedhjeve të 6 tetorit është i qartë. Ato kanë bërë thirrje për formimin sa më të shpejtë të Qeverisë dhe rinisjen e dialogut me Serbinë.

Departamenti Amerikan i Shtetit ka përgëzuar kosovarët për përfundimin e suksesshëm të zgjedhjeve të parakohshme. DASH-i ka kërkuar që lidershipi i ri i Kosovës të jetë i gatshëm të angazhohet menjëherë për dialog me Serbinë.

Këtu mund ta lexoni FALAS, numrin e sotëm të Kohës Ditore.

“Ne mirëpresim mundësinë që të punojmë me një qeveri të re, pro-dialogut, kur ajo të formohet dhe e cila është e përkushtuar të forcojë demokracinë dhe të sigurojë paqe, drejtësi dhe prosperitet për të gjithë qytetarët e Kosovës. Ne kemi qenë të qartë për pritjet tona që lidershipi i ri i Kosovës të jetë i gatshëm të angazhohet menjëherë me Serbinë që të punojnë për marrëveshjen që normalizon marrëdhëniet”, ka thënë një zëdhënës i Departamentit Amerikan të Shtetit.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Philip Kosnett, është pritur të martën nga i nominuari për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti.

Sipas njoftimit të VV-së, Kosnett ka shprehur kënaqësinë për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, ndërsa ka treguar interesimin e veçantë në përparimin kundër korrupsionit dhe përparimin në dialog me Serbinë.

“Në një takim miqësor, ambasadori Kosnett shprehu kënaqësinë e tij për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, pjesëmarrjen e lartë të qytetarëve dhe uroi kryetarin Kurti për një fushatë që adresoi shqetësimet e votuesve. Ai tregoi interesim të veçantë në përparimin kundër korrupsionit, për ekonominë dhe për përparimin në dialogun me Serbinë, drejt arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse që do të sillte stabilitet dhe paqe të qëndrueshme në rajon”, thuhet në njoftimin e VV-së.

Në anën tjetër, Kurti ka treguar planin e tij për dialogun me Serbinë duke shpjeguar se planifikon që të nisë fillimisht biseda me serbët e Kosovës, ndërsa më pas planifikon të takohet me përfaqësuesin e ri të BE-së për Politikë të Jashtme. Paraprakisht VV-ja ka thënë se duhet të mbyllet kapitulli i 33 marrëveshjeve të mëhershme, përkatësisht vlerësimi i zbatimit dhe i ndikimit të tyre, shkruan sot Koha Ditore.

“Nuk duhet të vonohemi, por s'kemi as pse nxitohemi e bëjmë gabime që na kushtojnë pastaj. Ai (Kurti v.j) e njoftoi ambasadorin se konsolidimi i brendshëm i Kosovës me shtetndërtim demokratik, sundim të ligjit, zhvillim ekonomik dhe progres shoqëror është prioritet që do ta zbatojë, meqë edhe nevojat e qytetarëve e vullneti i tyre i shprehur në këto zgjedhje ishte për këtë”, thuhet në komunikatë.

Pas Kurtit, ambasadori amerikan është takuar edhe me kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa.

“Ambasadori Kosnett ishte i kënaqur me atë se sa mirë shkoi procesi zgjedhor, me daljen e lartë në votime dhe për faktin se kishte aq shumë përqendrim në çështjet për të cilat shqetësohen votuesit. Ai tha se pret një përqendrim të ripërtërirë në përparim kundër korrupsionit, në ekonomi, dhe në dialog me Serbinë drejtë arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse që do të sillte stabilitet dhe paqe të qëndrueshme në rajon”, thuhet në komunikatën e LDK-së, sipas së cilës në takim ishte prezent edhe e nominuara për kryeministre, Vjosa Osmani, si dhe nënkryetarët, Agim Veliu e Lutfi Haziri.

Edhe shefja e Politikës së Jashtme e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini dhe komisari për Zgjerim i BE-së, Johannes Hahn, kanë thënë se presin formimin sa më të shpejtë të Qeverisë së Kosovës.

Sipas tyre, kjo është e rëndësishme në mënyrë që Kosova të vazhdojë të punojë në mbështetje të zhvillimit ekonomik dhe social, në sundimin e ligjit, në zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit me BE-në dhe në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

“Presim që të gjithë akterët politikë të mbeten të përkushtuar ndaj këtyre proceseve që janë të rëndësishme për të ardhmen e Kosovës, për përparim në rrugën evropiane dhe, më e rëndësishmja, për përfitimin e qytetarëve të Kosovës dhe të gjithë rajonit”, thanë Federica Mogherini dhe Johannes Hahn, në një deklaratë të përbashkët.

Ambasadori i Britanisë së Madhe, Nicholas Abbott, ka lavdëruar procesin zgjedhor në Kosovë, duke thënë se organizimi ishte i mirë dhe se kjo tregon se demokracia në Kosovë po rritet. Abbott ka shtuar mezi pret të bashkëpunojë me qeverinë e re, për të cilën ka thënë se rezultati ishte i qartë.

“Kosova ka votuar për ndryshim, dhe tash pret formimin e një qeverie të re dhe stabile, që do të mund të merret me çështjet e rëndësishme me të cilat është duke u ballafaquar vendi. Unë mezi pres bashkëpunimin me qeverinë e re”, ka thënë ai.

Por Abbott ka shprehur brengën me kërcënimet gjatë fushatës në disa pjesë të Kosovës, të banuara me popullatë serbe.

“E mirëpres deklaratën e sotme të Misionit Vëzhgues të Zgjedhjeve të Bashkimit Evropian, dhe ndaj mendimin se zgjedhjet kanë qenë të administruara mirë. Por jam i brengosur me kërcënimet gjatë fushatës në disa pjesë të Kosovës të banuara me popullatë serbe”, ka thënë ai.

Albin Kurti ka paralajmëruar të nisë së shpejti konsultat për krijimin e qeverisë së re. Por partneri preferencial i tij- Lidhja Demokratike, e cila ka dalë e dyta, do të presë numërimin e të gjitha votave, përfshirë ato me kusht dhe votat e diasporës, para se të deklarohet rreth një koalicioni të mundshëm me VV-në. Mbështetur në deklarimet publike të VV-së dhe LDK-së, parti këto që deri tani përbënin opozitën, ato do të jenë qeveri e ardhshme.

Mst: PZAP-ja refuzon kërkesën e LDK-së, PDK-së dhe Nismës për rinumërim të votave

Një gabim teknik në formularët e Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ) ka bërë që Lidhja Demokratike, Partia Demokratike dhe Nisma Socialdemokrate të kërkojnë rinumërimin e të gjitha votave. Pretendimet e tyre se në kolonat ku ata kanë qenë të sigurt që kanë pasur vota, i janë deleguar një subjekti tjetër politik, në fazën kur nuk ka as rezultate preliminare- janë hedhur poshtë nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

Pas numërimit të 100 për qind të votave, sipas faqes zyrtare të KQZ-së, Lëvizja Vetëvendosje është konfirmuar partia fituese e zgjedhjeve të 6 tetorit. Ky subjekt prin me 25.48 për qind të votave apo 202 mijë e 968 vota. LDK-ja është e dyta me 24.82 për qind të votave apo 197 mijë e 702 vota. PDK-ja renditet e treta me 21.24 për qind apo 169 mijë e 211 vota, ndërkaq koalicioni AAK-PSD është subjekti i katërt me 11.57 për qind apo 92 mijë e 149 vota. Lista Serbe ka shënuar fitore absolute në radhët e komuniteteve pakicë, duke dalë forca e pestë në nivel vendi, me 52 mijë e 620 vota apo 6.61 për qind. Nisma-AKR-PD nuk e ka kaluar pragun zgjedhor prej 5 për qind. Ky koalicion deri tash ka 39 mijë e 495 vota apo 4.96 për qind. Ndërkaq 40 mijë e 732 fletëvotime ishin të pavlefshme. Pas tyre, pritet numërimi i votave me kusht dhe atyre të diasporës.

Pavarësisht kërkesave të partive të tjera për rinumërim të votave dhe mosnumërimit të të gjitha votave, për disa prej diplomatëve të huaj në Kosovë rezultati i zgjedhjeve të 6 tetorit është i qartë. Ata kanë përgëzuar institucionet për mbarëvajtjen e procesit.

Në LDK kanë pranuar se gabimi teknik i KQZ-së nuk mund ta ndryshojë rezultatin, por ankesa ka thënë se është bërë për ta legjitimuar procesin.

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka hedhur si të palejuara ankesat nga PDK-ja, LDK-ja e koalicioni Nisma-AKR-PD për rinumërim të të gjitha fletëvotimeve nga zgjedhjet e 6 tetorit.

Ankuesit pretendojnë se në Qendrat e Votimit ka ndodhur vendosje e rezultateve në mënyrë të gabuar, respektivisht formularët e rezultateve në të gjithë Kosovën, në rubrikën ku duhet të shënohen votat e subjekteve politike kanë qenë me një rubrikë më pak, “më saktë nga 25 subjekte politike sa ishin në garë zgjedhore, formulari kishte vetëm 24 rubrika, mungesë përmbajtjesore kjo, e cila sipas paraqitësve të ankesave ndikon drejtpërsëdrejti në rezultatin final të secilit garues në zgjedhje”.

Paraqitësit e ankesave kanë shtuar se subjektit të partë të certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhje, Partisë Liberale Egjiptiane me numër 111, nuk i është vendosur fare kolona përkatëse, prandaj është dashur që me rezultatin e këtij subjekti, përshkrimi të fillohet me kolonën e dytë, e cila është paraparë për Partinë Demokratike me numër 112, “gjë që ka shkaktuar huti tek anëtarët e KVV-ve, numërues dhe përshkrues të rezultateve dhe shtrembërim të rezultateve në të gjitha vendvotimet e Kosovës.

Por PZAP-ja, siç thuhet në vendim, nuk është lëshuar fare në vlerësimin e pretendimeve ankimore.

“Meqenëse palët ankuese kërkesë kryesore të tyre e kanë rinumërim për shkak të pretendimeve se gabimet teknike në FRP-të, kanë ndikuar në rezultatin e votave për subjektet e tyre, në këtë fazë të procesit zgjedhor të gjitha ankesat që i referohen kontestimit të rezultateve hedhen poshtë si të palejuara, sepse rezultatet nuk janë përfundimtare dhe të njëjtat mund të ndryshojnë, e po ashtu korrektimit i gabimeve teknike që i referohen ankuese”, shkruan në vendimin e PZAP-së.

“Tani për tani është në kompetencë të KQZ-së, për korrektim me rastin e auditimit të të gjithave FRP-ve, sipas procedurës së Qendrës së Numërimit të Rezultateve. Pas auditimit të tërësishëm të FRP-ve, QNR-ja harton raportin me shkrim të rezultateve përfundimtare dhe i njëjti publikohet nga KQZ-ja, ku palët me interes ligjor të njëjtin mund ta ankimojnë”.

Në fund, PZAP-ja ka thënë se hedhja e enklave nuk e paragjykon çështjen dhe se ankueseve nuk u mohohet e drejta që mbi këtë bazë të paraqesin ankesa të tjera, pas shpalljes së rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve nga KQZ-ja.

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka thënë se për të qenë në rregull në aspektin juridik, rinumërimi i votave është i domosdoshëm.

“Kemi kërkuar rinumërim, sepse ka qenë një problem teknik që i atribuohet KQZ-së lidhur me procesverbalet e numërimit të votave. Një parti e listuar dhe pjesëmarrëse në garë nuk ka figuruar fare në listë. Ky problem duhet të zbardhet deri në fund për të parë pastaj se si kanë dalë procesverbalet dhe a ka rregullshmëri në renditjen e partive dhe numrave”, ka thënë Haziri për Radion Evropa e Lirë.

Edhe anëtari i PDK-së në KQZ, Ilir Gashi, ka thënë se rinumërimi i votave duhet të ndodhë pasi formularët dhe disa vota të partive nuk janë shkruar në formularët përkatës.

Por rinumërim nuk do të kërkojë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e cila doli e katërta në zgjedhje. Kryetari i këtij subjekti, Ramush Haradinaj, ka thënë se e pranojnë rezultatin e zgjedhjeve të 6 tetorit. Por në një konferencë për media, Haradinaj ka shtuar se qytetarët mund të zhgënjehen me fituesin.

“Për liderin e VV-së, mendoj se s’është ajo që është premtuar. Ekziston një mundësi reale e mashtrimit dhe zhgënjim te qytetarët nga fituesi. Shpresoj të jem gabim”, ka theksuar Haradinaj, i cili ka lënë të nënkuptohet se do të qëndrojë në opozitë. Ai ka paraqitur një listë me tema, për të cilat ka thënë se nuk do të bëjnë kompromis as në rolin e opozitarit. Mes tyre është edhe taksa dhe reciprociteti me Serbinë, të cilën Haradinaj kishte refuzuar ta heqë sa ishte kryeministër, për t’i hapur rrugë rinisjes së dialogut me Serbinë. Sipas tij, taksa duhet të mbetet deri në njohje.

Në Lëvizjen Vetëvendosje, e cila fitoi zgjedhjet, kanë kërkuar prej mbështetësve të vet që të jenë të qetë, pavarësisht kërkesave për rinumërim të votave.

“Qëndroni të qetë, mos u shqetësoni. Ne kemi personat përgjegjës që janë gardianët e vullnetit të qytetarëve. Padyshim subjektet që nuk kanë marrë mbështetjen nga qytetarët, tentojnë të gjejnë shpëtim nga rinumërimi”, ka shkruar në Facebook, Albulena Haxhiu.

Këtu mund ta lexoni FALAS, numrin e sotëm të Kohës Ditore.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme