Familja e Deharit të mllefosur që s’morën raportin, kryeprokurori thotë se përkthimi bëhet brenda ditësh

18 October 2019 13:59
19:10

Një ditë pasi erdhi në Kosovë raporti i ekspertizës së Institutit Zviceran për vdekjen e Astrit Deharit, prindërit e tij shkuan në Prokurorinë Themelore të Prizrenit për ta marrë atë.

Pas takimit gati njëorësh me kryeprokrorin Admir Shala, familja Dehari doli pa raport.

I mllefosur me këtë gjë, babai i Astrit Deharit tha se kryeprokurori nuk ua dha raportin në gjuhën origjinale, me arsyetimin se ai është duke u përkthyer në shqip, raporton KTV.

Dehari ka thënë se nuk kanë besim në institucionet e Kosovës, të cilat, sipas tij, nuk e kanë njoftuar zyrtarisht as për vdekjen e djalit e tij, e as për arritjen e raportit të ekspertizës nga Zvicra.

Kryeprokurori Admir Shala ka thënë se nuk mund t’ia japin familjes raportin në gjuhën origjinale, pa e përkthyer atë në gjuhën shqipe.

Ky proces, sipas tij, do të përfundojë brenda dy apo tre ditësh.

Tomë Gashi, avokati i familjes Dehari, nuk i shoqëroi në Prizren Avni e Xhemile Deharin. Pasdite, në një konferencë për medie në Prishtinë, Gashi tha se nuk kishte arsye të shkonte në Themeloren e Prizrenit.

Në këtë konferencë, e veja e Astrit Deharit, Arta Dehari, e quajti të papranueshme dhe absurde mosdhënien e këtij raporti.

Familja Dehari ka thënë se do ta pranojnë çdo rezultat të raportit nga Zvicra.

17:40

Avni Dehari: Mos transparenca e institucioneve, vrasja e dytë e Astritit

Avni Dehari ka akuzuar institucionet e Kosovës për mos transparencë, duke e cilësuar këtë si “vrasja e dytë e Astritit”.

Në një konferencë për media ai ka thënë se sot institucionit nuk ia kanë dorëzuar një kopje të origjinalit të Raportit të Institutit Zviceran mbi vdekjen e Astrit Deharit.

“Kur iu kërkova që të na japë një kopje të raportit origjinal na thanë që nuk e kemi. Njerëzit që kanë faj, njerëzit që kanë përlyer duart, ata që e kanë vrarë Astritin apo këdo tjetër mundohen të ia hedhin fajin njëri-tjetrit. Këta të Prishtinës më thonë shko në Prizren e ata të Prizrenit thonë shko në Prishtinë”, ka deklaruar Avni Dehari.

Ai thotë se pikërisht për shkak të mosbesimit kishin kërkuar që të kishte ekspertë të huaj për këtë rast.

“Si t’iu besohet kur thonë se nuk kanë kopje të origjinalit në zyrë dhe e kanë dërguar në përkthim. Nuk ka normë juridike që e arsyeton. Për shkak të mosbesimit që kemi pasur në institucionet e drejtësisë jemi detyruar që të kërkojmë ekspertë të jashtëm, por nuk kemi pasur besim sepse kanë shkelur të gjitha procedurat që nga fillimi”, ka deklaruar Avni Dehari. “Ata akuzojnë mediat e avokatin për politizim të rastit. Ata nuk duan të jenë transparentë, mund t’i fshehin faktet. Për ne si familje ky akt është vrasja e dytë e Astritit”.

Kurse avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi ka thënë se në vazhdimësi kanë kërkuar që ta posedojnë këtë raport në origjinal, të papërkthyer.

“Ne kemi pasur kërkesa të vazhdueshme që të marrim raportin e Institutit zvicran. Ky raport është kryer para dy javësh e vetëm dje Prokurorët kanë njoftuar se e kanë marrë”, ka thënë Gashi.

Tutje Gashi ka thënë se secila deklaratë e tij sigurisht se përmban konotacion politik.

“Atë që e ka thënë kryeprokurori për mua apo kushdo që e ka thënë për mua si avokat i familjes Dehari është krejtësisht e vërtetë, pasi secila deklaratë e imja ka qenë politike. Ne jemi të bindur se Astrit Dehari është vrarë më 5 nëntor 2016. Unë kam qenë në obduksion dhe kam parë plagët e tija që kanë në vetëmbrojtje. Kjo është shkruar edhe në raportin e ekspertëve të pavarur dhe këtë rast e kam dërguar edhe në Hagë me ekspertë ndërkombëtarë që është vërtetuar se ai ka qenë i vrarë”, ka thënë Gashi.

E sipas tij edhe vrasja e Astrit Deharit ishte politike.

“Arsyeja pse ka qenë i vrarë Astrit Dehari ka qenë poashtu politike pasi ishte anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje, për këtë arsye tani çdo deklaratë e imja ka konotacion politik. Sepse për arsye politike Astrit Dehari është vrarë”, ka thënë Gashi.

 

16:39

Familja e Deharit në konferencë për media

Familja e Deharit në orën 17:00 mbanë konferencë për media lidhur me atë çka ndodhi sot.

Pas refuzimit të Prokurorisë Themelore në Prizren për dhënien e raportit-ekspertizës të Instituti Zviceran-Qendrës Universitare të Mjekësisë ligjore në Zvicër në origjinal, në gjuhën në të cilën është përpiluar, avokati i familjes Dehari Tomë Gashi, ka njoftuar se bashkë me prindërit e Astrit Deharit, Avni dhe Xhemile Dehari, dhe bashkëshorten e Astritit Artën do të mbajnë sot më 18.10.2019 në orën 17:00 kofnerencë për media, në zyrën e avokatit Gashi.

14:59

Kryeprokurori thotë se nuk mund t’ia japin familjes Dehari raportin pa e përkthyer

Kryeprokurori Admir Shala ka thënë se nuk mund t’ia japin familjes raportin në gjuhën origjinale pa e përkthyer atë në gjuhën shqipe.

Shala ka thënë se këtë çështje janë duke e trajtuar në mënyrë urgjente, dhe se përkthimi i raportit pritet të përfundojë brenda 2 ose tre ditësh, raporton KTV.

Image

Sipas Shalës, pas përkthimit, familja do ta ketë raportin në dy versionet, atë në gjuhën origjinale dhe të përkthyer në shqip

14:37

Prokuroria s’ia jep familjarëve të Deharit raportin

Prokuroria Themelore e Prizrenit nuk ua ka dhënë familjarëve raportin e Institutit Zviceran për vdekjen e Astrit Deharit në burg.

Avni Dehari ka thënë se kryeprokurori Admir Shala u ka thënë se raporti gjendet në Prishtinë duke u përkthyer, raporton KTV.

Dehari është shprehur i mllefosur se institucionet nuk e kanë njoftuar zyrtarisht për arritjen e raportit, por për të ka thënë se ka marrë vesh vetëm nga mediet.

Tutje ai ka thënë se nuk u beson institucioneve të Kosovës, derisa vlerësoi se në këtë proces ka pasur shkelje të shumta.

“Për neve Astriti ende është në burg, sepse shteti asnjëherë s’na ka dërguar një shkresë zyrtare se ai ka vdekur. Pavarësisht se ne e dimë çfarë ka ndodhur”, ka thënë Dehari.

Dehari ka deklaruar se kryeprokurori Admir Shala u ka thënë se raporti do të përkthehet brenda disa ditësh.

13:59

Prindërit e Deharit në Prokurori për ta marrë raportin për vdekjen e të birit

Prindërit e Astrit Deharit, kanë arritur në Prokurorinë Themelore të Prizrenit, për të marrë raportin e Institutit zviceran në lidhje me vdekjen e djalit të tyre në burg para 3 vjetësh, raporton KTV.

Kujtojmë se dje, raporti që zbardh detaje për mënyrën e vdekjes së aktivistit të Vetëvendosjes, Astrit Dehari, u konfirmua se ka ardhur në Kosovë. Sipas autoriteteve, raporti ka arritur ditën e mërkurë, por pritet të përkthehet në gjuhën shqipe.

Image

Dje kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Admir Shala, ka mbajtur një konferencë për media përmes së cilës ka njoftuar se Ambasada e Zvicrës ua ka dorëzuar këtë raport. Shala e ka prezantuar para gazetarëve një zarf, i cili ishte i mbyllur.

Ka thënë se përmbajtjen e tij nuk e di, pasi që ai zarf do t’i dorëzohet prokurorit të rastit, i cili do ta trajtojë.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Dini4505/11/2019 17:22

Kjo cfare po shkruhet, neqoftese eshte keshtu, nuk ka asnje logjike qe perkthimi i nje cope letre te zgjase 3-4 dite, kjo eshte e para dhe, tjetra eshte poashtu e pa kuptuar, perse nuk i nipet kopja e origjinalit...? Neqoftese ka pengesa juridike, gje qe une nuk i kuptoj, atehere familjareve duhet spjegua dhe, kaq !

Shto koment

Të ngjashme