Nën përcjellje të prokurorëve dhe policëve, vazhdon numërimi i 530 vendvotimeve

Shahadije Bikliqi-Dragaçina Shahadije Bikliqi-Dragaçina 18 October 2019 17:24
19:08

Në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve ka vazhduar procesi i rinumërimit të 530 vendvotimeve në të cilat stafi i kësaj qendre ka hasur në mospërputhje të të dhënave.

Nga mesdita e së enjtes, kur edhe ka filluar ky proces, janë rinumëruar 45 prej tyre, ndërsa 23 kuti të tjera votimi janë në proces e sipër.

Burim Ahmetaj, udhëheqës i QNR-së, ka thënë se po punojnë me dy ndërrime, në mënyrë që të ketë progres më të madh.

Ai ka shtuar se edhe Prokuroria dhe hetuesit policorë, kohë pas kohe, janë prezentë në këtë qendër.

Megjithatë, sipas tij, krejt në fund të rinumërimit të të gjitha vendvotimeve, formularët paraprakë do të auditohen dhe krahasohen me rezultatet e dala pas rinumërimit, e pastaj Prokuroria nis procedurat e mëtutjeshme.

Ndërkaq, gjatë këtij procesi, për aq kuti sa janë rinumëruar, janë evidentuar edhe gabimet e para me numrin e votave dhe parregullsitë e tjera.

Sipas një vëzhguesi të NISMA-s, në Drenas, në një vendvotim ku koalicioni NISMA-AKR-PD ka marrë fillimisht 1 votë, ka dalë se pas rinumërimit numri i votave ka shkuar në 50.

Njëjtë ka ndodhur edhe me partinë tjetër, Lëvizjen “Vetëvendosje”, ku në disa vendvotime ka pasur mospërputhje të tilla.

Me rekomandim të QNR-së dhe vendim të KQZ-së, janë rinumëruar edhe 314 vendvotime të tjera ditë më parë.

Pas përfundimit të këtij procesi do të nisë edhe numërimi i rreth 26 mijë votave me kusht dhe atyre të personave me nevoja të veçanta.

17:24

Në QNR janë numëruar 83 nga 530 vendvotime

Rinumërimi i votave të 530 vendvotimeve po vazhdon në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, ku deri në orën 16:00, janë numëruar 83 vendvotime.

Kështu ka thënë për KosovaPress, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, sipas të cilit rinumërimi po vazhdon pa probleme.

Rinumërimi i 530 vendvotimet po bëhet pas vendimit të KQZ-së.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme