Do të ngrihet një qendër ndërkombëtare kërkimore për Vjosën

Do të ngrihet një qendër ndërkombëtare kërkimore për Vjosën

21 October 2019 12:39

Në Tepelenë do të ngrihet qendra ndërkombëtare kërkimore për Vjosën. Kjo qendër pritet të grumbullojë shkencëtarë nga e gjithë bota për projekte studimi të spektrit të biodiversitetit, ndotjes, mundësisë për zhvillim turistik përgjatë rrjedhës së Vjosës dhe lobim për dhënien e statusit park kombëtar për lumin e fundit të egër në Europë.

Shkencëtarë nga shumë vende vizituan luginën dhe shprehën opinionin e tyre mbi të ardhmen më të favorshme si park natyror përkundrejt alternativës së digave dhe hidrocentraleve.

“Përpjekjet që po bëhen për diga në Kalivaç dhe Poçem do të ndryshojnë fizionominë e rrjedhës, mund të sjellin përmbytje dhe erozion. Ndaj është e rëndësishme të dëgjohet zëri i studiuesve. Vjosa është një lum unik që nuk gjendet në asnjë vend tjetër të Evropës dhe nuk duhet ta humbasim”, thotë Fritz Shimen, profesor në Universitetin e Vjenës.

“Ndonëse ne kemi shumë lumenj në Japoni, nuk kemi asnjë të ngjashëm me Vjosën për shkak të veprimtarisë njerëzore. Vjosa është një lumë i rrjedhëshm ende në gjendje të lirë, ndaj është shumë e rëndësishme të ruhet si i tillë”, thotë profesori nga Japonia.

Në raportin e zgjeruar të prillit të vitit 2016, Parlamenti Evropian i bëri thirrje Qeverisë shqiptare “të kontrollojë zhvillimin e hidrocentraleve në zonat e ndjeshme mjedisore si në lumin Vjosa dhe në zonat e mbrojtura, të rregullojë cilësinë e Raportit të Ndikimit në Mjedis (VNM) sipas standardeve evropiane dhe të informojë e të përfshijë publikun në procedurat e planifikimit”. Deri tani, këto kërkesa janë injoruar totalisht për sa i përket projektit të Poçemit.

Vjosa është lumi i fundit i egër në Evropë dhe përbën një ekosistem dinamik të rrallë. Në një largësi prej 270 kilometra – që nga Malet e Pindit deri në detin Adriatik – lumi rrjedh i lirë dhe i pandërprerë./dita

Komentet

Shto koment

Të ngjashme