Specialja, tjetër përballje e Azem Sylës me drejtësinë

Arta Avdiu Arta Avdiu 21 October 2019 17:39
19:04

Një tjetër përballje me drejtësinë i është shtuar ish-komandantit dhe një nga figurave themeluese të UÇK-së, Azem Syla.

I njohur në luftë me nofkën “Daja”, ai ka marrë sinjalet e para këtë të hënë se do të udhëtojë në Hagë për t’u ballafaquar me Dhomat e Specializuara për Kosovën.

Megjithatë, mbrojtja e tij ka thënë se nuk dihet nëse ish-deputeti i PDK-së është i dyshuar apo dëshmitar i Speciales.

“Ne e kemi marrë sot ftesën për intervistim, por nuk kemi shumë detaje. Nuk e di as në çfarë cilësie është ftuar dhe as për datat e sakta, sepse hetuesit kanë mbetur të koordinojnë veprimet dhe detajet e ftesës me Dhomat e Specializuara”, ka thënë për KTV-në Besnik Berisha, avokat i Azem Sylës.

Por, ky nuk është problemi i parë i Sylës me ligjin.

Ai vazhdon të gjykohet se ka udhëhequr një grup kriminal të organizuar, i përbërë nga më shumë se 40 persona.

Ky grup, pretendon Prokuroria se ka përfituar rreth 30 milionë euro nga 2006-ta kur ka nisur shpronësimin e pronave në Prishtinë, të cilat kanë qenë të pronarëve serbë e që janë kthyer me vendime të jashtëligjshme gjyqësore në pronarë shqiptarë.

Pastaj ato u janë shitur palëve të treta, që tash edhe i posedojnë.

Këto veprime, grupi i Azem Sylës, sipas Prokurorisë, i ka bërë në bashkëpunim edhe me disa qytetarë serbë, në mesin e tyre policë.

Kur kishte nisur të hetohet për këtë rast në vitin 2016, e pasi negocioi dorëzimin për disa ditë, dha dorëheqje nga posti i deputetit të Kuvendit nga PDK-ja.

Por, para kësaj Syla u hetua edhe nga autoritetet zvicerane për mashtrime me pensione.

Duke u deklaruar si i sëmurë mendor, ai ka përfituar më shumë se 400 mijë franga ndihmë sociale.

Detajet e mashtrimeve të Azem Sylës në Zvicër, ishin përfshirë pastaj edhe në akuzën e një prokurori të EULEX-it për rastin “Toka”.

Me ato para, Prokuroria pretendonte se Syla, e kishte financuar fillimisht grupin kriminal.

Dhomat e Specializuara në Hagë ende nuk kanë ngritur asnjë aktakuzë për atë për çfarë janë krijuar, por tashmë kanë intervistuar dhjetëra persona përfshirë ish-komandant të zonave kryesore të UÇK-së.

17:39

Azem Syla ftohet nga Specialja

Gjykata Speciale ka ftuar për intervistim ish-komandantin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Azem Syla.

Lajmi është bërë i ditur nga avokati i tij, Besnik Berisha. Ai ka thënë për KTV-në se nuk e di në çfarë cilësie është ftuar klienti i tij.

“Ne e kemi marrë sot ftesën për intervistim por nuk kemi shumë detaje. Nuk e di as në çfarë cilësie është ftuar dhe as për datat e sakta sepse hetuesit kanë mbetur të koordinojnë veprimet dhe detajet e ftesës me Dhomat e Specializuara”, ka thënë ai.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme