Tanin: Bashkësia ndërkombëtare pret që liderët e rinj të sigurojnë heqjen e pengesave për dialog

Çitaku: Kosova është e gatshme për dialog pasi pala serbe të tregohet serioze

31 October 2019 20:44
21:59

Ambasadorja e Kosovës në Uashington, Vlora Çitaku, duke folur për dialogun me Serbinë, ka thënë se Kosova është e gatshme të fillojë dialogun, pasi pala serbe të tregojë se është serioze në këtë drejtim.

Ajo ka folur edhe për zgjedhjet nacionale të 6 tetorit, organizimi i të cilave siç tha ajo se ishte i suksesshëm dhe u zhvilluan në mënyrë fer dhe demokratike.

Çitaku ka përmendur se 26 anëtarë të KQZ-së përfunduan në spital pasi kishin simptoma gjatë numërimi të votave të ardhura nga Serbia, duke mos dashur të drejtojë gishtin ndaj askujt, teksa shtoi se edhe pas gjithë kësaj autoritetet e Kosovës vazhduan me numërimin e të gjitha votave.

Çitaku nuk ka lënë pa përmendur edhe faktin e frikësimit dhe kërcënimeve të komunitetit serb në Kosovë nga ana e bashkëkombësve të tyre dhe Beogradi zyrtar që kërkonin prej tyre të votonin për Listën Serbe në zgjedhjet e 6 tetorit.

Ajo ka akuzuar Qeverinë e Serbisë se po vazhdon të përdorë instrumente të frikësimit ndaj serbëve, jo vetëm gjatë zgjedhjeve, por edhe të pjesëtarëve serbë në Forcën e Sigurisë së Kosovës që të mos jenë pjesë e kësaj force, teksa ka përmendur se zyrtarë serbë të Kosovës janë ndalur nga autoritetet e Serbisë në kufi.

Çitaku i ka quajtur të rrejshme pohimet e palës serbe e nga Kosova janë larguar 200 mijë serbë, teksa ka rikujtuar se i dyshuari kryesor për vrasjen e politikanit Oliver Ivanoviqit vazhdon të fshihet në Serbi.

“Kurrë Kosova nuk do të frikësohet dhe Serbia kurrë nuk do ta diktojë”, u shpreh ajo.

Çitaku ka përmendur edhe për veprimet e Serbisë për të penguar anëtarësimin e Kosovës në Interpol, duke thënë se Prishtina zyrtare serish do të aplikojë vitin e ardhshëm për anëtarësim në këtë organizatë ndërkombëtare, pasi që askush nuk ia ndalon këtë të drejtë.

“Kosova tashmë ka dëshmuar aftësinë e saj për të treguar veten si faktor stabilitetit”, tha ajo.

Ajo ka përshëndetur aksionin e ushtrisë amerikane për vrasjen e liderit të organizatës terroriste ISIS-it Al-Baghdadi, duke shtuar se Kosova si shtet kontribuon në luftën kundër terrorizmit.

“Jam krenare për të kaluarën time si shqiptare e Kosovës. Nuk jam e sigurt se kështu mund të thuhet për juve zoti Daçiq”, është shprehur ambasadorja e Kosovës në Uashington, Vlora Çitaku.

21:12

Daçiq në Nju Jork: Serbia e gatshme t'i rifillojë bisedimet me Prishtinën, nëse hiqet taksa

Ministri i Jashtëm serb Ivica Daçiq ka përsëritur sonte në Nju Jork se vendi i tij është i gatshëm të rifillojë bisedimet e ndërprera me Prishtinën zyrtare nëse kjo e fundit do të heqë dorë nga taksat e vendosura një vit më parë ndaj mallrave serbe.

Ai kujtoi futjen e taksave 100 për qind të mallrave serbe dhe theksoi se ‘Prishtina mori një vendim të tillë pas votimit të pasuksesshëm në Interpol’.

"Me gjithë dënimin e bashkësisë ndërkombëtare, ato kanë qenë në fuqi për një vit. Dëmi është disa qindra milionë dollarë dhe po rritet çdo ditë," tha kreu i diplomacisë serbe.

Ish-Qeveria Haradinaj ka vendosur në nëntor të vitit të kaluar masën 100 për qind ndaj mallrave serbe, duke thënë se një vendim i tillë nuk o të tërhiqet derisa Beogradi të mos e njohë Kosovën shtet të pavarur dhe sovran./KosovaPress/

20:44

Tanin: Bashkësia ndërkombëtare pret që liderët e rinj të sigurojnë heqjen e pengesave për dialog

Momenti i krijuar prej zgjedhjeve që paralajmëroi “ndryshimin më të rëndësishëm” në politikën e Kosovës ndër vite mund të nxisë përpjekjet për sundim të ligjit, krijim të vendeve të punës dhe dialog në mes të Prishtinës dhe Beogradit, tha shefi i UNMIK-ut, Zahir Tanin.

“Mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme më 6 tetor, të cilat shënuan pjesëmarrjen më të madhe që nga viti 2010, dhe u shpallen në kohë të vështirë të ndasisë politike, unitetit të prishur të koalicionit qeverisës dhe “çka është më e rëndësishmja, me perceptimin e qytetarëve për paaftësinë e realizimit të premtimeve që iu patën dhënë popullit të Kosovës,” i tha më 31 tetor Këshillit të Sigurimit Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm dhe shef i UNMIK-ut Zahir Tanin.

PSSP Tanin vuri në dukje se votuesit mbështetën kandidatët “jokonvencionalë” të cilët nuk e ndanin vizionin apo të kaluarën e njëjtë politike më liderët e më parmë, duke shprehur shpresën se lidershipi i ri do të mund ta shfrytëzojë momentin e krijuar nga zgjedhjet për të realizuar premtimet e bëra gjatë zgjedhjeve.

“Bashkësia ndërkombëtare gjithashtu pret që liderët e rinj të afirmojnë përkushtimin e tyre për negociatat me Beogradin dhe të sigurojnë heqjen e pengesave për dialog. Përpjekje të veçanta duhet të bëhen për të siguruar që retorika politike dhe veprimet të jenë të favorshme për rifillimin dhe përparimin në dialog pas një viti negociatash të ngecura.”

Tanin tha që çfarëdo marrëveshje e mundur në mes të Beogradit dhe Prishtinës do të ishte e qëndrueshme vetëm nëse bazohet në pronësi lokale, por theksoi nevojën që bashkësia ndërkombëtare “të qëndrojë e bashkuar dhe e vendosur në mbështetjen e saj drejt një marrëveshjeje të vlefshme.”

Tanin po ashtu e informoi Këshillin e Sigurimit lidhur me rezultatet e një hetimi disamujor të ekspertëve të OKB-së që nuk janë pjesë e UNMIK-ut, ku u përfshinë intervista me më shumë se 50 dëshmitarë dhe shqyrtime të shumta të dëshmive fotografike dhe videoincizimeve gjatë një rishikimi të përgjithshëm të ngjarjeve të 28 majit, kur dy punonjës të UNMIK-ut u arrestuan nga policia e Kosovës gjatë një operacioni të madh policor në mbarë Kosovën.

Sipas njoftimit për media, Tanin ndau gjetjet kyçe të hetimeve, duke përfshirë se ato nuk dhanë prova për ndonjë keqbërje nga personeli i UNMIK-ut, të cilët ishin në detyrë zyrtare në kohën kur u arrestuan dhe ishin vetidentifikuar në mënyrë të qartë si punonjës të OKB-së. Hetuesit gjetën sa ka pasur “përdorim të tepruar të forcës nga Policia e Kosovës” që rezultoi me lëndime të shumta, duke përfshirë thyerje, humbje të të dëgjuarit dhe stres post-traumatik, si dhe që policia voziti dhe mbajti një automjet të UNMIK-ut.

“Përdorimi i forcës së tepruar, ndërhyrja me pronën e Misionit dhe vazhdimi i procedurës penale kundër dy pjesëtarëve të stafit, janë shkelje e qartë e kornizës ligjore në fuqi. Këto veprime janë të papranueshme dhe nuk duhen të falen,” deklaroi Tanin.

Duke kërkuar ndërprerjen e menjëhershme të të gjitha procedurave penale kundër pjesëtarëve të stafit, PSSP Tanin po ashtu lavdëroi frymën bashkëpunuese, me të cilën autoritete e Kosovës pranuan gjetjet e raportit gjatë angazhimeve të fundit.

“Për aq kohë sa ky Këshill e ka mandatin për praninë ndërkombëtare në Kosovë, unë pres që institucionet e Kosovës dhe UNMIK-u të veprojnë duke respektuar në tërësi njëri- tjetrin. Ne jemi krenar që UNMIK-u luajti një rol qendror në formimin e Policisë së Kosovës dhe të gjyqësorit, dhe ne shpresojmë se qëllimi i tyre është të trajtojnë çdo dështim dhe të veprojnë në përputhje me normat dhe standardet ndërkombëtare.”

Tanin po ashtu përmendi një varg arritjesh të misionit, duke përfshirë një qendër të ndihmës juridike të financuar nga UNMIK-u për t’iu ofruar ndihmë grupeve të cenueshme; mbështetje në themelimin e strehimores së parë rajonale për të mbijetuarit e dhunës gjinore; dhe publikimin e fjalorit të parë serbisht-shqip/shqip-serbisht që nga viti 1984, si pjesë e një programi më të gjerë dhe të vazhdueshëm të të drejtave të gjuhës të mbështetur nga UNMIK-u.

PSSP përkujtoi 19 vjetorin që kur u miratua Rezoluta 1325 për gratë, për paqen dhe për sigurinë. Ai theksoi rëndësinë e procesit politik të përfshirjes gjinore dhe mundësisë së reagimit, në përafrim me këtë Rezolutë.

"Misioni ynë vazhdon të mbështesë përpjekjet e tilla me gratë lidere dhe me partnerët ndërkombëtarë, duke përfshirë UN Women dhe Bashkimin Evropian përmes projekteve konkrete,” tha ai.

Tanin përfundoi fjalimin e tij duke e vlerësuar vizionin e themeluesve të Kombeve të Bashkuara.

“Derisa po i afrohemi përvjetorit të 75-të të Kombeve të Bashkuara, kujtojmë rëndësinë e “Ne popujt”. Këto dy fjalë në Kartën tonë na përkujtojnë se puna thelbësore e qeverive në ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare mund të vazhdojë vetëm nëse ka baza të fuqishme shoqërore.”

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme