Thaçi: Dialogu të vazhdojë pa kushtëzime Foto: Alban Bujari / Koha Ditore

Thaçi: Dialogu të vazhdojë pa kushtëzime

12 November 2019 16:39

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të vazhdojë pa kushtëzime, ka deklaruar në një bisedë telefonike për Radion Evropa e Lirë, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili zhvilloi të martën në Paris një takim të përbashkët me presidentin francez, Emmanuel Macron dhe atë të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Thaçi tha po ashtu se edhe pas formimit të qeverisë së re të Kosovës, pala kosovare duhet të qëndrojë unike në vazhdimin e dialogut me Serbinë. Ai tha se pret që marrëveshja midis Kosovës dhe Serbisë mund të arrihet brenda muajve.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Thaçi, sapo u njoftuam se ju keni zhvilluar një takim me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe atë francez Emannuel Macron. Mund të na tregoni për çka është biseduar dhe sa ka zgjatur ky takim?

Hashim Thaçi: Në kuadër të organizimeve të Forumit të Paqes këtu në Paris, presidenti i Francës, Macron ka marrë iniciativën sot që të zhvillojë një takim trilateral mes meje si president i shtetit të Kosovës dhe atij të Serbisë Vuçiq në një nga ambientet e organizuara nga presidenti Macron.

Qëllimi i takimit ishte afirmimi i nevojës së dialogut Kosovë-Serbi, ristartimi i këtij procesi dhe mundësia eventuale e arritjes së marrëveshjes përfundimtare mes dy vendeve të pavarura dhe sovrane, me mundësi potenciale për Kosovën që të jetë pjesë edhe e Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Unë vlerësoj lartë përkushtimin, zotimin dhe vendosmërinë e presidentit Macron që të lehtësojë këtë proces, si një prej udhëheqësve të fuqishëm të Bashkimit Evropian dhe botëror.

Prandaj, mendoj që ishte një mesazh për paqen, për bashkëpunimin ndërfqinjësor dhe të ardhmen euroatlantike për Kosovën, por edhe të ardhmen evropiane në tërësi të rajonit të Ballkanit Perëndimor. Besoj se presidenti Macron, së bashku me aktorë të tjerë globalë, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aktorë të tjerë evropianë, duke përfshirë edhe NATO-n do të mund të lehtësojë procese të ardhshme të tilla për arritjen e marrëveshjes përfundimtare paqësore Kosovë-Serbi si kusht për paqe dhe stabilitet në tërë Ballkanin Perëndimor.

Radio Evropa e Lirë: A është arritur ndonjë pajtim se kur mund të vazhdojë dialogu dhe a do të ketë ende kushtëzime nga Beogradi për vazhdimin e bisedimeve, siç ishte rasti me taksën?

Hashim Thaçi: Me rëndësi është që dialogu duhet të vazhdojë, është konstatim i përbashkët i të gjithë aktorëve globalë, por edhe neve i aktorëve lokalë. Ndërsa, dialogu do të vazhdojë i pakushtëzuar nga asnjëra palë.

/intervistën e plotë e gjeni në Radion Evropa e Lirë/

Komentet

Shto koment

Të ngjashme