Auditori zgjedh të bëjë vizitë pune në Çeki në ditën kur futboll atje luan Kosova

Auditori zgjedh të bëjë vizitë pune në Çeki në ditën kur futboll atje luan Kosova

14 November 2019 20:21

Jo vetëm për përfaqësuesja dhe tifozë kosovarë të futbollit po qëndrojnë në Çeki, këtë të enjte.

Atje, për vizitë zyrtare po qëndron edhe Auditori i Përgjithshëm i Kosovës, Besnik Osmani i shoqëruar nga zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Ilir Salihu.

Zyra për media e këtij institucioni ka raportuar se të dy kanë zhvilluar vizitë pune në Zyrën Supreme të Auditimit të Çekisë, në Pragë, ku u pritën në një takim të veçantë nga Presidenti i këtij institucioni, Miloslav Kala.

Sipas njoftimit, “në këtë takim u bisedua për forcimin e mëtutjeshëm të bashkëpunimit në mes të dy Institucioneve Supreme të Auditimit; për procesin e zbatimit të marrëveshjes bilaterale, si dhe për involvimin e Zyrës Kombëtare të Auditimit në institucione të rëndësishme të auditimit në nivel rajonal dhe evropian”.

Në njoftim thuhet gjithashtu se Zyra Kombëtare e Auditimit e Kosovës dhe ajo e Republikës së Çekisë, në muajin maj të këtij viti, kanë nënshkruar memorandumin për bashkëpunim në fusha të rëndësishme profesionale midis dy institucioneve dhe synon shkëmbimin e praktikave të mira audituese.

Në Pragë, Auditori dhe zëvendësi i tij nuk kanë fluturuar direkt nga Prishtina, por nga Luksemburgu, ku po ashtu, mëngjesin e të enjtes kanë pasur takim pune. Zyra e Auditorit në një njoftim tjetër tregon se Osmani e Salihu zhvilluan vizitë zyrtare në Gjykatën Evropiane të Auditorëve (ECA), ku u takuan me kryetarin e ECA-së, Klaus Hainer Lehne.

Portali Koha.net ka provuar të vë kontakt me Besnik Osmanin, për të mësuar nëse vizita e tij dhe zëvendësit të tij në Çeki lidhet edhe me ndeshjen e futbollit, apo kjo është thjeshtë rastësi. Por të enjten mbrëma, kontaktin me Osmanin përmes telefonit e ka pasur të pamundur.

Kosova luan ndeshjen e rëndësishme në kuadër të kualifikimeve për Euro 2020, ndaj Çekisë në qytetin Plzen, jo shumë larg kryeqytetit, Pragës.

Image

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Gent P.15/11/2019 09:40

Kllosharlleku ndryshe nuk osht! Ne krye te institucioneve per fat te keq kemi njerez te padaltë dhe zhvates qe jane kancer i kesaj shoqerie. Ende nuk e pashe ndonje zyrtar shteteror qe pati dinjitet, bre dreqi i marrte!!!

Shto koment

Të ngjashme