Supremja vendos, Nisma-AKR në Kuvend Foto: Alban Bujari / KD

Supremja vendos, Nisma-AKR në Kuvend

Fitim Gashi Fitim Gashi 15 November 2019 06:09

Gjykata Supreme ka konfirmuar vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), duke vendosur që 3 mijë e 782 votat e ardhura me postë nga Serbia të mos përfshihen në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve. Ky vendim i ndryshon mandatet që do t’i kenë partitë në Kuvend, pasi koalicioni Nisma-AKR-PD ngjitet mbi pragun prej 5 për qind, duke u bërë pjesë e Kuvendit, shkruan sot Koha Ditore.

Nga 32 deputetë sa kishte pas rezultateve të para, tani partia fituese e zgjedhjeve të 6 tetorit do t’i ketë 29. Te LDK-ja largohet Hatim Baxhaku dhe kjo parti do të ketë 28 ulëse. Partitë që përbënin opozitën e legjislaturës së kaluar bashkërisht do t’i kenë 57 deputetë, numër ky i pamjaftueshëm për të krijuar të vetme Qeverinë, pasi së paku kërkohen 61 vota.

Pretenduesi për kryeministër, Albin Kurti, ka thënë se nuk llogarit në votat e Listës Serbe, e cila do t’i ketë 10 deputetë megjithëse është zotuar të përmbushë obligimin kushtetues që dikush prej tyre të jenë ministër në Qeverinë e tij. Janë edhe deputetë nga komunitetet e tjera joshumicë, me të cilët do të krijohej shumica e domosdoshme për ta votuar kryetarin e Kuvendit dhe Qeverinë.

Nga një deputet do t’i hiqen edhe PDK-së dhe AAK-së. Hyrja e Nismës e lë pa deputet Partinë Socialdemokrate. Natyra Kuçi e kësaj partie kishte hyrë me kuotë gjinore në listën e deputetëve të koalicionit AAK-PSD, por tash mbetet jashtë Kuvendit. AAK-ja do t’i ketë 13 mandate.

Gjykata Supreme ka refuzuar të gjitha ankesat e ushtruara nga partitë dhe kandidatët për deputetë, përfshirë këtu të Lëvizjes Vetëvendosje, LDK-së, KDTP-së, PLE-së, PDA-së e PDS-së.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme