Serbët “tronditen” nga harta e ‘Shqipërisë së madhe’ në bonbonierën “Kamila” të prodhuar në Kosovë

Sqarohet në Serbi çështja e bonbonierës prizrenase me “Shqipërinë e madhe”

19 November 2019 11:49
16:48

Prapa bonbonierës “Kamila”, e cila nëpër raftet e marketeve në Serbi ka shkuar nga Kosova, qëndron një kompani turke, e cila hapi fabrikën e saj në rrethinë të Prizrenit.

Gazeta serbe “Novosti” shkruan se tregimi për “Shqipërinë e madhe” dhe këtë ëmbëlsirë, kësaj radhe, duket se nuk ka shumë lidhje, sepse renditja e çokollatave brenda saj, megjithatë, ngjan në hartën e Turqisë.

Image
Image

Nga ana tjetër, pluhuri u ngrit në Serbi për këtë bonboniere që vjen nga Kosova, ndërsa siç ka thënë Goran Papoviq, president i Organizatës Nacionale serbe për mbrojtjen e konsumatorit, asnjë prej këtyre çokollatave nuk i ka parë në dyqanet serbe.

“Ky tregim është i vjetër më shumë se një vit e gjysmë e madje edhe kur patëm dëgjuar për herë të parë për këtë, askush nuk kishte ardhur tek ne, rrjedhimisht asnjëherë s’e kemi parë”, ka thënë për “Novostin” Papoviq. “I bëjmë thirrje atij që e ka raportuar që të vijë tek ne dhe ta sjellë atë, së bashku me kuponin fiskal. Sepse gjithmonë nevojiten dëshmi. Pa to, nuk mund të bëjmë asgjë. Ajo se në atë bonbonierë shihet harta e Shqipërisë së madhe nuk ka kuptim, dhe furnizuesi është i obliguar edhe për deklarim, dhe në të nuk do të duhej të shkruante ‘import nga Kosova’. Ky edhe është problemi më i vogël. Çështja është tek cilësia e produktit”, është shprehur ai, transmeton Koha.net.

Sipas fjalëve të tij, nuk është e qartë se nga erdhi ky lajm në publik, dhe njësoj, nuk dihet ende se ku po shitet ajo “në mbarë Serbinë”, sepse ai produkt as nuk është parë nga organizata e tij.

Në ministrinë serbe të Tregtisë kanë thënë se, në rast se gjendet ky produkt diku në territorin e Serbisë, dhe konstatohet se nuk është deklaruar si duhet, do të hiqet nga raftet.

Nga Ministria i kanë thënë “Novostit” se i gjithë malli që hyn nga Kosova në Serbi duhet të ketë në deklaracion këtë mbishkrim: “Kosovo*”, Kosovo/1244 RS”, “Kosovo, Srbija”, Kosovo/Srbija” apo “UNMIK/Kosovo”.

Kurse në Doganën e Serbisë i kanë thënë mediumit serbe se gjatë viteve 2018 dhe 2019, këto çokollata, nën emërtimin “Kamila”, në katër raste, nga Prizreni i ka importuar në Serbi një firmë nga Beogradi.

11:49

Serbët “tronditen” nga harta e ‘Shqipërisë së madhe’ në bonbonierën “Kamila” të prodhuar në Kosovë

Mediat në Beograd e kanë cilësuar provokim, që i ka “tronditur” blerësit kur në zinxhirin tregtar në Serbi kanë ndeshur ofertën e bonbonierës “Kamila”, prodhim i Kosovës, në të cilën bonbonet qenkan të renditura në trajtën e hartës së “Shqipërisë së madhe”, transmeton Koha.net.

Sipas “Novostit” në ambalazhin e këtij produkti shkruan “import nga Kosova”, që është shkelje e Kushtetutës së Serbisë, në preambulën e të cilën shkruan se “Kosova është pjesë e shtetit të Serbisë”.

“Që situata të jetë edhe më e keqe, kur hapet kutia, vihet re qartas se bonbonet e çokolatës janë të renditura në trajtën e “Shqipërisë së madhe”, duke iu dërguar kështu mesazh të qartë provokues të gjithë blerësve dhe qytetarëve të Serbisë”, shkruan gazeta “Novosti” e njohur për qëndrime shoviniste dhe antishqiptare që në vitet e regjimit të Millosheviqit, rikujton Koha.net.

“Organet kompetente, analistët dhe përfaqësuesit e Shoqatës së Konsumatorëve, sipas kësaj gazete, e kanë dënuar ashpër shitjen e këtij produkti në vendin tonë dhe kanë kërkuar që ai të hiqet me urgjencë nga raftet”, transmetojnë mediat e Beogradit shkrimin e kësaj gazete.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme