21 vjet nga rënia e Mujë Krasniqit dhe 41 bashkëluftëtarëve të tij

Bëhen homazhe për Mujë Krasniqin dhe 41 bashkëluftëtarët e tij

14 December 2019 08:18
12:47

Në përvjetorin e rënies së komandantit të Brigadës 113, Mujë Krasniqit dhe 41 dëshmorëve të kombit, sot në kompleksin memorial të dëshmorëve në fshatin Marinë, janë bërë homazhe dhe janë vendosur kurora me lule.

Familjarë të dëshmorëve, udhëheqës të organizatave të dala nga lufta, kryetarë të komunave dhe ish-luftëtarë të UÇK-së, janë përkulur para varrezave për të kujtuar dhe nderuar veprën e atyre që ranë për lirinë e Kosovës.

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari tha se dëshmorët duhet respektuar dhe kujtuar çdo herë.

“Sot jemi duke bërë homazhe, duke i nderuar ata të cilët na e mundësuan që ne sot të marrim frymë lirshëm, pra jemi duke bërë homazhe dhe duke nderuar 41 dëshmorët që ranë në kufirin shqiptaro-shqiptar për lirinë e vendit tonë, në krye me komandantin e Brigadës, Mujë Krasniqi. Lavdi e përjetshme për të gjithë të rënët e vendit tonë, vetëm duke respektuar, duke kujtuar, duke nderuar dhe asnjëherë nuk guxojmë të mendojmë për t’i harruar këto gjëra sepse do të harrojmë vetveten”, tha ai.

Bashkë me të ishte edhe kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, i cili tha se kjo ditë ka rëndësi të veçantë për të.

“Për ne kjo ditë është ditë e veçantë sidomos për Zonën Operative të Drenicës që kemi humbur njeriun më të devotshëm të UÇK-së, kur e dimë punën dhe veprën e tij dhe shokët e tij që e kanë bërë. Lavdi e përjetshme për të gjithë dëshmorët e kombit”, tha ai.

E sipas kryetarit të Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, kujtimi për të rënët është kujtim ndaj vlerave dhe historisë që nuk guxon të harrohet.

“Ne po kujtojmë sot komandantin e Brigadës 113 Mujë Krasniqi, dhe 41 dëshmorë që kanë rënë në betejën e kufirit të Kosovës dhe Shqipërisë. Kujtimi për ta është kujtimi ndaj historisë, kujtimi ndaj vlerave,. Kujtimi ndaj asaj që ne nuk guxojmë kurrë ta harrojmë”, tha ai.

Në 21 vjetorin e rënies së Mujë Krasniqit, kujtojmë se ai bashkë me 41 luftëtarë të UCK-së ranë heroikisht më14 dhjetor të vitit 1998, në një pritë nga forcat serbe, afër kufirit Kosovë-Shqipëri.

Mujë Krasniqi, i njohur si komandant Kapuçi, ishte një prej luftëtarëve të parë të UCK-së.

09:30

Thaçi: Rënia e Mujës dhe 41 luftëtarëve të tij ishte goditje e rëndë për UÇK-në

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka kujtuar 21 vjetorin e rënies së Mujë Krasniqit dhe 41 bashkëluftëtarëve të tij,

Ai në një postim në Facebook ka shkruar se komandant “Kapuçi” ishte ndër luftëtarët e parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Edhe pse ende i pashëruar, ai nuk kishte pranuar të qëndrojë larg luftës, por në kushte të rënda dimri, me plagë në trup dhe me plot armatim ishte nisur drejt frontit në Kosovë”, shkruan ai.

Thaçi thotë se gjatë hyrjes në Kosovë, Muja dhe bashkëluftëtarët e tij kishin rënë në një pritë serbe, ku pas betejës së ashpër dhe thyerjes disa herë të rrethimit, duke u munduar që t’i tërheq luftëtarët e tij, heroikisht ra edhe vetë komandanti, njëri ndër bartësit kryesorë të luftës së UÇK-së plot një dekadë.

Ai thotë se rënia e Mujës dhe e 41 luftëtarëve të tij ishte një goditje e rëndë për luftën tonë, por ata u bënë frymëzim edhe për mijëra ushtarë dhe vullnetarë që pandalshëm po i bashkoheshin radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
 

08:18

21 vjet nga rënia e Mujë Krasniqit dhe 41 bashkëluftëtarëve të tij

Sot bëhen 21 vjet nga rënia heroike e komandantit të Brigadës 113 të Zonës Operative të Drenicës, Mujë Krasniqi - Kapuçi dhe 41 bashkëluftëtarëve të tij, në kufirin shqiptaro-shqiptar.

21 vjet më parë, gjatë mëngjesit të acartë të 14 dhjetorit të vitit 1998 luftëtarët e UÇK-së deri sa sillnin armë në Kosovë, kishin rënë në pritën e organizuar nga ushtria dhe policia e armikut, në vendin e quajtur “Te Likenet e Hasit” në Gorozhup të Pashtrikut.

Gjatë luftimeve të zhvilluara në borën e dhjetorit, veç dëshmorëve të rënë, u plagosën edhe dhjetëra luftëtarë, ndërsa disa luftëtarë u zunë rob lufte, por pas një aksioni të zhvilluar nga luftëtarët e UÇK-së, 8 ushtarë të ushtrisë serbe ishin kapur nga luftëtarët e UÇK-së dhe me ndërmjetësimin e OSBE-së u bë këmbimi i ushtarëve të të dyja palëve.

Dëshmorët e UÇK-së të rënë në brezin kufitar shqiptaro-shqiptar u varrosën në Polac të Drenicës me nderime larta ushtarake, më 21 dhjetor të vitit 1998./ksp/

Komentet

Shto koment

Të ngjashme