Një vit nga formimi i ushtrisë Foto: Driton Paçarada / Koha

Thaçi: Ushtria e Kosovës po i shton kapacitetet për t’i mbrojtur qytetarët nga kërcënimet e jashtme

14 December 2019 08:21
10:00

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në 1 vjetorin e formimit të ushtrisë së Kosovës, ka thënë se ajo është e gatshme të kontribuojë për paqe dhe stabilitet në rajon.

Përmes një postimi në Facebook, Thaçi ka shkruar se më 14 dhjetor të vitit të kaluar e përmbyllëm një proces të filluar më 2014, me të cilin i vumë themelet e Ushtrisë së Kosovës.

“Me ndryshimet në Ligjin për FSK-në i dhamë Forcës së Sigurisë së Kosovës mandatin dhe kompetencat që ajo dhe tërë Kosova i meritojnë. Tri ligjet që i hapën rrugë transformimit të FSK-së ishin ligjet që kanë marrë më së shumti vota ndonjëherë, duke dëshmuar kështu vendosmërinë e tërë spektrit politik dhe vullnetin e tërë Kosovës për ta pasur ushtrinë tonë”, ka thënë ai.

Sipas tij, Forca e Sigurisë së Kosovës si forcë profesionale me standarde të NATO-s, si forcë shumetnike që u shërben të gjithë qytetarëve të Kosovës, në tërë territorin e shtetit tonë, është e gatshme të kontribuojë për paqen dhe stabilitetin përtej rajonit tonë.

Ai thotë se Forca e Sigurisë së Kosovës ka dëshmuar aftësitë e veta dhe përgatitjen e lartë në misionet e kërkim-shpëtimit, si në Kosovë, ashtu edhe jashtë vendit.

“Ajo tash po i shton kapacitetet për detyra të reja, për t’i mbrojtur qytetarët e Kosovës nga kërcënimet e jashtme, por edhe për t’i ndihmuar aleatët tanë në vendosjen dhe ruajtjen e paqes kudo që shfaqet nevoja”, ka shkruar tutje Thaçi.

08:21

Një vit nga formimi i ushtrisë

Parlamenti i Kosovës me 106 vota pro dhe një abstenim, një vit më parë miratoi tri ligjet që e ndryshojnë mandatin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në ushtri të Kosovës, por pa iu ndërruar emri.

Ligjet që u miratuan ishin Projektligji për Ministrinë e Mbrojtjes, Projektligji për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Projektligji për shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës. Amendamentet e ligjeve u votuan një nga një.

Deputetët serbë në parlamentin e Kosovës nuk morën pjesë në seancë. Ata e kanë kundërshtuar formimin e Ushtrisë së Kosovës.

Udhëheqësit e institucioneve të Kosovës, votimin dhe miratimin e ligjeve për ushtrinë e cilësuan si "një ditë historike dhe një nga vendimet më të rëndësishme që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008”.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme