Shkelësit e ligjit për mjetet piroteknike mund të marrin gjobë deri në 7 mijë euro Foto:Ilustrim/Koha

Shkelësit e ligjit për mjetet piroteknike mund të marrin gjobë deri në 7 mijë euro

14 December 2019 21:56

Personat që shkelin ligjin për përdorimin e mjeteve piroteknike, do të mund të dënohen deri në 7 mijë euro.

Fishekzjarrët e mjetet tjera piroteknike nuk mund të përdoren deri më 26 dhjetor.

Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës, thotë se koha e paraparë për përdorimin e fishekzjarrëve është e lejuar deri më 2 janar.

“Neni 48 thotë se personi juridik për kundërvajtje dënohet me gjobë në shumë prej njëmijë (1000) deri shtatëmijë (7000) Euro nëse shkelet paragrafi 3.15 i këtij neni”, thuhet në përgjigjen e MPB-së për rtv21.

Por nëse shkelin rregullat gjoba do të ketë edhe për punëtorët.

“Neni 49 thotë se punëtorët e organeve të autorizuara dënohen për kundërvajtje me gjobë në shumën prej njëqind (100) deri pesëqind (500) Euro nëse shkelet paragrafi 1.5 i këtij neni; dhe Neni 50: Punëtori i organeve të autorizuara dënohet me gjobë në shumën prej njëqind (100) Euro në vendin e kryerjes së kundërvajtjes, nëse nuk e prezanton licencën me kërkesën e zyrtarit policor”, thuhet tutje në njoftim.

Masat për mbrojtjen e shëndetit, jetës së njerëzve, pronës dhe mjedisit, merren sipas dispozitave të ligjit për përdorimin civil të eksplozivëve e për përdorim të sigurt të fishekzjarrëve.

Nga MPB-ja po ashtu treguan se cilat janë llojet e mjeteve piroteknike që do të lejohen të përdoren dhe nga cilat mosha mund të shiten në bazë të ligjit.

“Kategoria 1: dymbëdhjetë (12) vjet; kategoria 2: gjashtëmbëdhjetë (16) vjet; kategoria 3: tetëmbëdhjetë (18) vjet; kategoria T1 dhe P1: tetëmbëdhjetë (18) vjet ”.”, thuhet në përgjigjen e MPB-së.

Në anën tjetër zëdhënësi i policisë së Kosovës, Baki Kelani tha se sivjet ende nuk është raportuar për ndonjë rast të keqpërdorimit të mjeteve piroteknike.

Fishekzjarrët, mjetet shpërthyese të cilat vërshojnë në natën e ndërrimit të mot-moteve, apo ditëve më herët importohen në Kosovë nga vendet e tjera. Në vitin e kaluar në Kosovë kanë hyrë 70 ton mjete pirotkenike e sasi e njëjtë deri më tani është edhe në vitin 2019.

“Kompanitë e licencuara për import, transfer, transit, eksport të Eksplozivit dhe Fishekzjarrëve ju lejohet të importojnë në bazë të kushteve dhe kritereve të Deponimit, por nuk do të thotë se nuk ndryshon gjendja e sasisë të Fishekzjarrëve deri në përfundim të vitit 2019 -2020”, thuhet në përgjigjen e MPB-së.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme