Shkollë për fëmijët e sulmuesve vetëvrasës

Shkollë për fëmijët e sulmuesve vetëvrasës

19 October 2019 12:07

Aisas i pëlqen të vallëzojë. Ajo i di disa këngë në anglisht. Prindërit e saj nuk dëshironin që e bija e tyre të vallëzojë. 

Ata, po ashtu, nuk donin që ajo të këndojë. Ata donin që ajo të vritej me ta për kauzën e tyre. Vitin e kaluar, kur i kishte shtatë vjet, Aisan e hipën në motoçikletë me nënën dhe vëllanë. Ata bartnin një pako, për të cilën vogëlushja thotë se ishte oriz kokosi, i mbështjellë në lëvozhga bananeje. 

Babai i saj dhe vëllai tjetër hipën në një motoçikletë të dytë, me një pako tjetër. Ata ia mësyn me shpejtësi një stacioni policor në qytetin indonezian të Surabyas, një vend ku myslimanët dhe të krishterët jetojnë bashkë, shkruan sot Koha Ditore.

Pakot ishin bomba dhe ato u aktivizuan në portën e stacionit policor. E katapultuar nga motoçikleta prej forcës së shpërthimit, Aisa u zgjua prej trotuarit si fantazmë, duke e parë kaosin rreth vetes. Secili anëtar tjetër i familjes së saj kishte vdekur. Sulmi nuk vrau ndonjë kalimtar tjetër. “Shteti Islamik”, në anën tjetër të botës, e mori përgjegjësinë për sulmin. 

Aisa, nofkë kjo e saja, për t’ia mbrojtur privatësinë, tani është pjesë e një programi të deradikalizimit të fëmijëve, i udhëhequr prej Ministrisë indoneziane të Çështjeve Sociale. 

Në një kompleks të blertë në kryeqytetin e Indonezisë, Xhakartë, ajo i ka mësuar këngët e Taylor Swiftit, e lexon Kuranin dhe luan lojëra. Shokë të saj të shkollës janë fëmijët e sulmuesve të tjerë vetëvrasës, si dhe personave që synonin t’i bashkoheshin “Shtetit Islamik” në Siri. Përpjekjet e Indonezisë, shtetit me popullsinë më të madhe myslimane në botë, që ta spastrojë shoqërinë prej ekstremizmit fetar, janë duke u përcjellë për së afërmi prej komunitetit ndërkombëtar antiterrorist. 

Ndonëse shumica dërrmuese e indonezianëve e mbështesin një formë të moderuar të islamit, një numër sulmesh vetëvrasëse e kanë dërrmuar këtë shtet. 

Tani, teksa qindra familje të “Shtetit Islamik” po mundohen që t’i ikin kampeve të ndalimit në Siri, midis fushatës ushtarake turke në territorin kurd, përpjekjet kanë fituar një urgjencë të re. 

Ekziston shqetësimi se ideologjia e dhunshme e “Shtetit Islamik” jo vetëm që do të ringjallet në Lindjen e Mesme, por edhe do të përhapet në Indonezi, me mijëra kilometra larg. Ka sinjale se një gjë e tillë tashmë është duke ndodhur...(Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme