Lëkundet Trumpi - Republikanët në SHBA kanë pësuar disfatë në dy shtete

06 November 2019 19:27

Lutjet që presidenti Donald Trump ua bëri njerëzve të Kentackyt për ta votuar partinë republikane, dolën të jenë të pasuksesshme pasi kandidati demokrat, doli fitues në një garë të ngushtë në këtë shtet.

Një ditë para se të mbaheshin zgjedhjet për guvernator, Trumpi në fushatë u bëri thirrje njerëzve që të mos i votojnë demokratët dhe të mos e turpërojnë presidentin e tyre, transmeton KTV-ja raportin e Reutersit.

Por, demokrati Andy Beshear, shpalli fitoren në Kentacky, duke ia vështirësuar punët Trumpit në garën për zgjedhjet presidenciale të vitit 2020.

“Votuesit dërguan mesazh të qartë për të gjithë. Është një mesazh se zgjedhjet nuk janë mes të djathtës e të majtës. Ato janë ende mes së drejtës dhe së keqes”, ka thënë ai.

Beshear fitoi zgjedhjet me epërsi prej vetëm 0.4 për qind të votave ndaj guvernatorit Matt Bevin, që deklaroi se nuk do t’i pranojë rezultatet e zgjedhjeve.

Ndërkohë, demokratët morën kontrollin e plotë në legjislaturën e Virgjinias, që ishte çerdhe e Republikanëve të Trumpit për më shumë se 20 vjet.

Rezultatet e këtyre zgjedhjeve po shihen si pikë kthese në disponimin politik para zgjedhjeve presidenciale.

Sidoqoftë, republikanët mbajtën pushtetin në Mississippi, një tjetër bastion i tyre në SHBA, ndërsa aktivizimi i Joe Bidenit dhe Elizabeth Warrenit, kandidatëve demokratë që po garojnë për nominim presidencial, ka qenë një pikë e fortë e demokratëve në zgjedhjet për guvernatorë.

Tani kur kanë në kontroll legjislaturën e shtetit, demokratët në Virginia pritet të bëjnë shtytje për kontroll më të rreptë të armëve, reformë të cilën deri më tani refuzuan ta bënin republikanët.

© KOHA

Komentet

Shto koment

Të ngjashme