Pendarovski, kundër anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në Unionin Ekonomik Euroaziatik

Pendarovski, kundër anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në Unionin Ekonomik Euroaziatik

16 November 2019 16:52

Presidenti maqedonas, Stevo Pendarovski, beson se vendi i tij nuk duhet të bëhet anëtare e Unionit Ekonomik Euroaziatik, sepse, siç thotë ai, është në kundërshtim me aspiratat e vendit për anëtarësim në BE.

Ai e arsyetoi thirrjen e djeshme të kryeministrit maqedonas, Zoran Zaev, që kompanitë ruse duhet të hyjnë në tregun e Maqedonisë më intensivisht.

“Bashkimi Ekonomik Euroaziatik është çështje krejt tjetër. Serbia ka nënshkruar kohët e fundit dhe tashmë ka sinjale nga Brukseli se ato dy gjëra – Bashkimi Evropian, negociatat dhe anëtarësimi dhe Unioni Ekonomik Euroaziatik nuk janë kompatibile”, deklaroi Pendarovski, raporton Alsat-M.

Pendarovski gjithashtu arsyetoi vendimin e vendit të tij për të mos vendosur sanksione ekonomike ndaj Rusisë, pas një thirrjeje nga Shtetet e Bashkuara disa vjet më parë. Ai thotë se derisa vendi i tij të mos bëhet anëtar i plotë i NATO-s, “ne mund të lejojmë të ruajmë nivelin e shkëmbimit tregtar me Rusinë”.

“Vendi nuk do të kishte zgjidhje pas anëtarësimit në organizatat euro-atlantike. Ne jemi ekonomi në zhvillim, kemi vështirësi të mëdha ekonomike, vuajmë të arrijmë shkallë më të larta të rritjes ekonomike, ende nuk e kemi konsoliduar atë pjesë të shoqërisë sonë dhe mendoj se sanksionet drejtë Federatës Ruse mund të ndikojnë negativisht ndaj ekonomisë maqedonase”, tha Stevo Pendarovski, kryetar i shtetit maqedonas.

Gazetari Mirçe Adamçevski që ishte një kohë të gjatë korrespodent nga Moska dhe që është njohës i mirë i raporteve maqedonaso-ruse, vlerëson se Maqedonia e Veriut duhet t’i mbrojë interesat e saja ekonomike.

“Unë si shembull do t’ua përmend Slloveninë. Ajo është anëtare e NATO-s dhe e BE-së, por ajo vendos ndonjëherë sanksione, por jo deri në fund, ka disa sanksione që nuk i vendos. Apo masat që i ndërmerr BE-ja, ajo vlerëson se në interesin e tyre është të mos i ndërmarrë ato masa kundër Rusisë”, deklaroi Adamçevski.

Dje kryeministri maqedonas, Zaev, në forumin e përbashkët të biznesit maqedonaso-rus, i ftoi kompanitë ruse të hyjnë në projekte të përbashkëta me partnerë maqedonas në energjetikë, gazifikim, turizëm dhe bujqësi.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme