Stoltenberg: NATO-ja e vendosur për luftë kundër terrorizmit Foto: Koha

Stoltenberg: NATO-ja e vendosur për luftë kundër terrorizmit

Agron Bajrami Agron Bajrami 04 December 2019 14:36

Watford, Londër, 4 dhjetor - Nën masa të rrepta të sigurisë, në hotelin Grove, të qytezës Watford, në periferi të Londrës, janë mbledhur shefat e shteteve anëtare të aleancës më të fuqishme ushtarake në histori - NATO-s.

Mbledhja e 29 krerëve shtetërorë vjen në një moment kthese - kur Aleanca shënon 70 vjetorin e themelimit dhe njëkohësisht kërkon të tejkalojë çarjet dhe mosmarrëveshjet që e kanë përfshirë kohët e fundit.

Sipas zyrtarëve të NATO-s, synimi kryesor në këtë takim është që të arrihet unitet i plotë në raport me sfidat kryesore me të cilat ballafaqohet Aleanca në veçanti dhe perëndimi në përgjithësi. Ndër këto sfida, një zyrtar i NATO-s identifikoi dy kryesoret - Rusinë dhe terrorizmin.

Andaj dhe pritja më e madhe nga takimi i sotëm është arritja e konsensusit të brendshëm të NATO-s në raport me këto sfida, gjë e cila nuk duket se do të jetë lehtë e arritshme marrë parasysh grindjet dhe zënkat mes krerëve të shteteve anëtare, e që janë shfaqur madje edhe dje, në ditën e parë të takimit të Londrës, kur u dëgjuan kritika të ashpra nga presidenti amerikan, Donald Trump, në adresën e homologut të tij francez, Emmanuel Macron, si dhe përplasjet me fjalë mes Macronit dhe presidentit turk, Reccep Tayip Erdogan.

Kështu, qysh para nisjes së takimit, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se NATO-ja tashmë po punon me Turqinë për të adresuar mospajtimet. Stoltenberg po ashtu hodhi poshtë kritikat e presidentit Macron i cili e ka quajtur NATO-n si një organizëm me “tru të vdekur”.

“Nuk është ashtu. NATO-ja është agjile, NATO-ja është aktive, NATO-ja... po adaptohet. Dhe kjo NATO është aleanca më e suksesshme në histori, për shkak se kemi qenë në gjendje të ndryshojmë vazhdimisht kur bota po ndryshon”, tha sekretari Stoltenberg shkurt para nisjes së takimit.

Sido që të jetë, në NATO tani insistojnë se këto mosmarrëveshje publike janë tejkaluar në takimin që sapo ka përfunduar.

Kështu, së paku, tha sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, në konferencën për media pas takimit. Ai para gazetareve njoftoi se krerët e shteteve anëtare të NATO-s janë pajtuar rreth synimeve strategjike të aleancës për të ardhmen.

Ai tha se liderët e vendeve anëtare të NATO-s janë të bashkuar.

“Të gjithë janë pajtuar se jemi bashkë, një për të gjithë, të gjithë për një”, tha Stoltenberg, raporton Koha Ditore nga Watfordi.

Stoltenberg bëri të ditur edhe se shefat e shteteve të NATO-s kanë miratuar Deklaratën e Londrës, në të cilën shprehet ky unitet i aleancës.

Teksti i plotë i Deklaratës së Londrës:

Sot, jemi mbledhur në Londër, në shtëpinë e parë të NATO-s, për të kremtuar 70 vjetorin e Aleancës më të fuqishme dhe më të suksesshme në histori, si dhe për të shënuar trembëdhjetë vjetorin e rënies së Perdes së Hekurt. NATO garanton sigurinë e territorit tonë dhe të 1 miliard qytetarëve tanë, sigurinë tonë dhe vlerat që i ndajmë, përfshirë demokracinë, lirinë individuale, të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit. Solidariteti, uniteti dhe kohezioni janë parimet bazë të Aleancës sonë. Teksa punojmë bashkë për të parandaluar konflikte dhe për të ruajtur paqen, NATO-ja mbetet themeli i mbrojtjes sonë kolektive dhe forumi qenësor për konsulta dhe vendime të sigurisë mes aleatëve. Ne riafirmojmë lidhjen e qëndrueshme transatlantike midis Evropës dhe Amerikës së Veriut, respektimin tonë ndaj qëllimeve dhe parimeve të Kartës së Kombeve të Bashkuara, dhe angazhimin tonë serioz siç është parashikuar në nenin 5 të Traktatit të Uashingtonit që një sulm kundër një Aleati do të konsiderohet një sulm kundër të gjithë ne.

Jemi të përcaktuar të ndajmë kostot dhe përgjegjësitë të sigurisë sonë të pandarë. Përmes Zotimit tonë për Investime në Mbrojtje, ne jemi duke rritur investimet tona mbrojtëse në përputhje me udhëzimet e këtij Zotimi për 2% dhe 20%, duke investuar në shkathtësi të reja dhe duke kontribuar më shumë forca në misione dhe operacione. Shpenzimet jo-amerikane të mbrojtjes janë rritur për pesë vjet rresht; mbi 130 miliardë dollarë amerikanë më shumë është duke u investuar në mbrojtje. Në përputhje me përkushtimin tonë siç përcaktohet në nenin 3 të Traktatit të Uashingtonit, ne vazhdojmë të forcojmë aftësinë tonë individuale dhe kolektive për t'i rezistuar të gjitha formave të sulmit. Ne jemi duke përparuar mirë. Ne duhet dhe do të bëjmë më shumë.

Ne, si Aleancë, po përballemi me kërcënime dhe sfida të dukshme që burojnë nga të gjitha drejtimet strategjike. Veprimet agresive të Rusisë përbëjnë një kërcënim për sigurinë Euro-Atlantike; terrorizmi i të gjitha formave dhe manifestimeve mbetet një kërcënim i vazhdueshëm për të gjithë ne. Aktorë shtetërorë dhe jo-shtetërorë sfidojnë rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla. Paqëndureshmëria përtej kufijve tanë po ashtu po kontribuon në migrimin e parregullt. Po përballemi me kërcënime kibernetike dhe hibride.

NATO-ja është Aleancë mbrojtëse dhe nuk paraqet kërcënim për asnjë vend. Ne po adaptojmë shkathtësitë, strategjitë dhe planet tona ushtarake përgjatë Aleancës në pajtim me qasjen tonë 360 shkallëshe ndaj sigurisë. Kemi marrë vendime për të përmirësuar gatishmërinë e forcave tona për të reaguar ndaj çdo kërcënimi, në çdo kohë, nga çdo drejtim. Jemi të përkushtuar për të luftuar kundër terrorizmit dhe po ndërmarrim hapa më të fuqishëm së bashku për ta mposhtur atë. Po e adresojmë dhe do të vazhdojmë ta adresojmë në mënyrë të matur dhe të përgjegjshme vendosjen e raketave të reja me rreze të mesme veprimi të Rusisë, të cilat sollën shkatërrimin e Traktatit të Forcave Bërthamore me Rreze të Mesme dhe të cilat paraqesin rreziqe të konsiderueshme për sigurinë Euro-Atlantike.

Po i rrisim veprimet për të mbrojtur liritë tona në det dhe në ajër. Po e përforcojmë edhe më tej aftësinë tonë për të parandaluar dhe mbrojtur me një përzierje të përshtatshme të shkathtësive të mbrojtjes bërthamore, konvencionale dhe raketore, të cilat ne vazhdojmë t'i adaptojmë. Përderisa të ekzistojnë armët bërthamore, NATO-ja do të mbetet aleancë bërthamore. Jemi plotësisht të përkushtuar për të ruajtur dhe forcuar kontrollin efektiv të armëve, çarmatimin dhe mos-përhapjen, duke e marrë parasysh ambientin mbizotërues të sigurisë. Aleatët janë të angazhuar fuqimisht për zbatimin e plotë të Traktatit për Mos-Përhapjen e Armëve Bërthamore në të gjitha aspektet e tij, përfshirë çarmatimin bërthamor, mos-përhapjen dhe përdorimin paqësor të energjisë bërthamore. Mbesim të hapur për dialog, dhe për një marrëdhënie konstruktive me Rusinë kur veprimet e Rusisë e mundësojnë këtë.

Ne punojmë për të rritur sigurinë për të gjithë. Kemi forcuar partneritetet në fqinjësinë tonë dhe më tej, kemi thelluar dialogun politik, mbështetjen dhe angazhimin me vendet partnere dhe me organizatat ndërkombëtare. Riafirmojmë përkushtimin tonë për siguri dhe stabilitet afatgjatë në Afganistan. Po e rrisim bashkëpunimin tonë me Kombet e Bashkuara; ka progres të paprecedent në bashkëpunimin NATO-BE. Jemi të përkushtuar ndaj politikës me Dyer të Hapura të NATO-s, e cila forcon Aleancën dhe ka sjellë siguri për miliona evropianë. Maqedonia e Veriut është këtu me ne sot dhe së shpejti do të jetë aleati ynë më i ri. Jemi të përkushtuar për sukses në të gjitha operacionet dhe misionet tona. Nderojmë të gjithë burrat dhe gratë që kanë shërbyer për NATO-n, dhe i nderojmë të gjithë ata që kanë sakrifikuar jetët e tyre për të na mbajtur të sigurt.

Për të mbetur të sigurt, duhet ta shohim të ardhmen bashkë. Po e adresojmë gjerësinë dhe shkallën e teknologjive të reja për të ruajtur avantazhin tonë teknologjik, derisa në të njëjtën kohë të ruajmë vlerat dhe normat tona. Do të vazhdojmë të rrisim rezistencën e shoqërive tona, sikurse edhe infrastrukturën tonë kritike dhe sigurinë tonë energjetike. NATO-ja me Aleatët, brenda autoritetit të tyre përkatës, janë të përkushtuar të garantojnë sigurinë e komunikimeve tona, përfshirë teknologjinë 5G, duke njohur nevojën për t'u mbështetur në sisteme të sigurta dhe elastike. Ne e kemi shpallur hapësirën një fushë operative për NATO-n, duke njohur rëndësinë e saj për të na mbajtur të sigurt dhe për të adresuar sfidat e sigurisë, derisa në të njëjtën kohë ruajmë të drejtën ndërkombëtare. Po i përmirësojmë mjetet tona për të reaguar ndaj sulmeve kibernetike, dhe po e forcojmë shkathtësinë tonë për t’u përgatitur për të frenuar dhe për t’u mbrojtur kundër taktikave hibride që kërkojnë të minojnë sigurinë dhe shoqëritë tona. Po e rrisim rolin e NATO-s në sigurinë njerëzore. E dimë se ndikimi në rritje i Kinës dhe politikat ndërkombëtare paraqesin edhe mundësi edhe sfida të cilat duhet t’i adresojmë së bashku si Aleancë.

Marrë parasysh mjedisin strategjik në zhvillim, ftojmë Sekretarin e Përgjithshëm që të paraqesë para Ministrave të Jashtëm një propozim të miratuar nga Këshilli për një proces reflektimi të ardhshëm nën kujdesin e tij, duke u mbështetur në ekspertizën përkatëse, për të forcuar më tej dimensionin politik të NATO-s, përfshirë konsultimin.

Shprehim mirënjohjen tonë për mikpritjen bujare nga Mbretëria e Bashkuar. Do të takohemi përsëri në 2021.

Në kohë sfidash, jemi më të fuqishëm si Aleancë, dhe popujt tanë më të sigurt. Lidhja jonë dhe përkushtimi ynë i dyanshëm kanë garantuar liritë tona, vlerat tona dhe sigurinë tonë për shtatëdhjetë vjet. Sot veprojmë për të siguruar që NATO-ja i garanton ato liri, vlera dhe siguri për gjeneratat e ardhshme.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme