Nis procesi i shkarkimit të presidentit Trump

05 December 2019 19:30

Kryetarja Nancy Pelosi, ka thënë se Dhoma e Përfaqësuesve do të nisë procesin e shkarkimit të presidentit Donald Trump, për keqpërdorim të pozitës.

Një ditë pasi para Komitetit për Drejtësi, tre njohës të njohur të Kushtetutës Amerikane dëshmuan se presidenti ka kryer krim kur kërkoi nga Ukraina hetimin e Joe Bidenit, kryetarja Pelosi tha se me veprimet e tij, presidenti ka rrezikuar demokracinë amerikane, raporton Reuters, transmeton KTV.

“Faktet janë të pakontestueshme. Presidenti abuzoi me fuqinë e tij për përfitime të veta politike, në kurriz të sigurisë sonë kombëtare. Këtë e bëri duke ofruar ndihmë ushtarake për një hetim ndaj rivalit të tij politik”, ka thënë Pelosi.

Në konferencë, Pelosi tha se presidenti nuk ka lënë tjetër mundësi.

“Demokracia jonë është në rrezik. Presidenti nuk na la tjetër mundësi, përveç të veprojmë”, shtoi Pelosi.

E pak para kësaj konference, Trumpi, përmes rrjetit social Twitter, kërkoi nga demokratët që ta kryejnë shpejt këtë proces.

“Nëse do të më hetoni drejt shkarkimit, bëjeni shpejt me qëllim që të kemi gjykim të drejt në Senat e pastaj vendi ynë t’u kthehet punëve të zakonshme”, ka shkruar Trump.

Deklarata e Pelosit vjen vetëm një ditë pasi mbajti një takim prapa dyerve të mbyllura me kolegët e saj demokratë, ku i kishte pyetur nëse janë të gatshëm të nisin procesin e shkarkimit të presidentit. Sipas Associated Press, kongresistët demokratë njëzëri u përgjigjën me “po”.

© KOHA

Komentet

Shto koment

Të ngjashme