Erdogani përmend Trumpin dhe Putinin si liderë që admiron Foto: Reuters

Erdogani përmend Trumpin dhe Putinin si liderë që admiron

11 December 2019 08:37

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan ka renditur presidentin amerikan, Donald Trump dhe atë rus, Vladimir Putin në mesin e liderëve që admiron më së shumti, teksa ka thënë se Evropës i mungon një lider frymëzues.

Duke folur para studentëve në kryeqytetin turk, Ankara, Erdogani ka thënë se Evropa po përballet me “krizë serioze të udhëheqësisë”.

Ai ka përshëndetur Trumpin, për siç ka thënë, natyrën e tij të hapur.

“Pavarësisht se a e pëlqeni apo jo, z.Trump është një emër i rëndësishëm. Ai nuk ka agjendë të fshehur. Ai diskuton me mua hapur dhe unë flas me të shumë hapur”, ka thënë presidenti turk, transmeton rel.

Ngjashëm Erdogani ka përshkruar edhe Putinin, duke thënë se as ai nuk ka “agjendë të fshehur”.

Lideri i tretë i përmendur nga udhëheqësi turk, ka qenë sheiku i Katarit, Tamim bin Hamad Al Thani, për të cilin Erdogani ka thënë se është “lider i ri dhe dinamik”, i cili mbështet shtetet e varfra.

Nga e kaluara, Erdogani ka përmendur Profetin Muhamed dhe themeluesin e Turqisë moderne, Mustafa Kemal Ataturk në mesin e personaliteteve frymëzuese për të.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme