Shtylla në mes të rrugës, Komuna e Prizrenit thotë se kompania asfaltoi gabimisht rrugën në “Jaglenica”

Mehmet Krasniqi Mehmet Krasniqi 19 October 2019 20:27

Kushdo që kalon mbi asfaltin e ri të rrugës “Gurishta” në Prizren, do të takohet me këtë shtyllë elektrike në mes të saj.

Komuna, e cila së fundmi e shtroi këtë rrugë në lagjen “Jaglenica”, nuk e largoi shtyllën e cila mban përçues elektrikë me tension të lartë, raporton KTV.

Banorët ndihen të rrezikuar, pasi thonë se ajo shumë lehtë mund ta zërë dikë nga kalimtarët.

Sipas banorëve, rruga u rregullua shpejt dhe jashtë standardeve, vetëm për shkak të votave. Ata tregojnë se kjo u bë vetëm pak ditë para 6 tetorit, kur u mbajtën zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Vazhdimin e asfaltimit të rrugës, sipas banorëve, po e pengon edhe kjo shtyllë elektrike.

Drejtori i Shërbimeve Publike, Levent Kasemi, i ka thënë KTV-së përmes telefonit se kompania e kontraktuar ka asfaltuar këtë rrugë gabimisht.

Sipas tij, në momentin që komuna e ka kuptuar këtë, janë ndërprerë punimet.

Në anën tjetër, KEDS-i thotë komuna ka bërë zgjerimin e rrugës, pa marrë zgjidhjen teknike nga ana e tyre.

“Në këto raste nuk duhet bërë zgjerimi pa u marrë zgjidhja teknike nga ana e KEDS-it. Dihet se shtylla ka qenë aty dhe nuk ka qenë në mes të rrugës, por në skaj, jashtë rrugës. Pra, bëhet fjalë për rrjet ekzistent i cili ka qenë në gjendje të rregullt. KEDS-i do të intervenojë gjatë këtyre ditëve dhe do ta bëjë zhvendosjen e shtyllës”, ka thënë Viktor Buzhala, zëdhënës i KEDS-it.

Banorët ankohen se rruga është shtruar pa e rregulluar fillimisht infrastrukturën nëntokësore, sikurse rrjetin e kanalizimit.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme