Komuna e Prizrenit thotë se do të marrë masa për fotografinë e nxënësve me përshëndetje ushtarake

Komuna e Prizrenit thotë se do të marrë masa për fotografinë e nxënësve me përshëndetje ushtarake

21 October 2019 16:49

Komuna e Prizrenit ka reaguar pas publikimit të një fotografie ku shihen disa fëmijë në një shkollë në këtë komunë dhe një person i rritur, që besohet të jetë mësimdhënës, me flamurin e shtetit turk dhe duke bërë përshëndetje ushtarake.

Kjo komunë ka thënë se Drejtoria e Arsimit po e shqyrton rastin dhe do të marrë masa sipas legjislacionit në fuqi, pasi t’i kompletojë të gjitha informacionet.

“Këto ditë nëpër rrjete sociale dhe media është publikuar një fotografi ku shihen nxënësit e shkollës ShFMU ‘Motrat Qiriazi’ dhe mësimdhënësi i kësaj shkolle, e cila ka shkaktuar reagim në opinion me pretendim për abuzim ndaj fëmijëve. Drejtoria Komunale e Arsimit këtë rast është duke e shqyrtuar hollësisht dhe është në koordimin të plotë me Inspektoratin e Arsimit, për mbledhjen e informacioneve nga terreni. Andaj, në momentin e kompletimit të të gjitha informacioneve, DKA do të merr masat e parapara sipas legjislacionit në fuqi”, thuhet në njoftim të kësaj komune.

Tutje, Komuna e Prizrenit ka theksuar se “në hapësirat shkollore nuk është i lejuar aplikimi i asnjë lloj ideologjie dhe abuzimi me fëmijë dhe iu bën thirrje të gjithë mësimdhënësve që të jenë vigjilentë dhe të kujdesshëm në respektimin e ligjeve dhe të drejtave të fëmijëve”.

Ndaj këtij rasti ka reaguar Ministria e Arsimit, e cila ka thënë se shkollat nuk janë hapësira për aplikimin e asnjë lloj ideologjie dhe abuzimi në këtë formë me fëmijët është në kundërshtim me konventat ndërkombëtare dhe me ligjet e aplikueshme në Kosovë.

Ndërkaq, reagim për këtë rast ka ardhur edhe nga Këshilli i Prindërve të Kosovës, i cili thotë se është duke e përcjellë me vëmendje situatën e krijuar në opinion.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme