Rahoveci nis rregullimin e shtretërve të lumenjve

Rahoveci nis rregullimin e shtretërve të lumenjve

08 November 2019 15:14

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, ka bërë me dije se të premten ka nisur projekti për rehabilitimin e shtretërve të lumenjve në këtë komunë.

“Me qëllim të parandalimit të ndotjes së lumenjve, e cila ndot në masë të madhe mjedisin, parandalimit të vërshimeve dhe rehabilitimin e atyre pjesëve që janë të nevojshme, sot, në Ditën Botërore të Planifikimit Hapësinor filluam në Nagac projektin ‘Rregullimi i shtretërve të lumenjve nga Hoça e Madhe, Brestoc, Hoçë e Vogël, Nagac deri në Krushë të Madhe’, LOT 2, me vlerën: 555 535 87 euro, i cili përfshin vendbanimet Hoçë e Vogël, Nagac dhe Krushë e Madhe”, ka thënë Latifi.

Më tutje, Latifi ka theksuar se projekti në fjalë është investim i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe implementohet nga Komuna e Rahovecit.

“Ndërtimi i kolektorit të ujërave të zeza, ndërtimi i urave, ndriçimi dhe stazat për ecje janë disa nga elementet që do ta përcjellin këtë projekt, i cili do të ketë dobi të shumta për banorët e kësaj zone. Duke e ditur që shkaktari kryesor i ndotjes së lumenjve është faktori njeri, lus që ta ruajmë duke shmangur të gjitha elementet që mund të çojnë në shkatërrim të kësaj që sot po fillojmë ta ndërtojmë”, ka deklaruar Latifi.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme