Banorët e disa fshatrave të Istogut thonë se mbetën disa ditë pa rrymë

Dorentina Thaqi Dorentina Thaqi 13 November 2019 20:26

Ndryshimet atmosferike dhe era e fuqishme gjatë kësaj jave, u kanë sjellë dëme në energji elektrike banorëve të fshatrave Rakosh të Komunës së Istogut.

Ata thonë se me ditë të tëra mbetën pa energji elektrike shkaku i rrjetit që, sipas tyre, është i dobët dhe për këtë çështje, KEDS-i nuk ndërmori asnjë hap.

Tutje, banorët tregojnë se sa herë që moti përkeqësohet, atyre u ndërpritet energjia elektrike për ditë të tëra, raporton KTV.

Nga komuna thonë se janë në dijeni për problemet e banorëve, por nuk janë kompetentë për këtë çështje e as për të ndërhyrë.

E nga KEDS-i, në një përgjigje me shkrim, kanë mohuar të ketë pasur ndërprerje të energjisë elektrike për disa ditë, duke thënë se ka pasur ca defekte të cilat janë rregulluar brenda disa orëve.

“Kemi pasur 5 prishje për shkak të lidhjes së shkurtër me tokën dhe në të njëjtat është intervenuar duke ndërruar izolatorë, fiksuar përçues apo ndërruar siguresa dhe pas një apo eventualisht dy orëve, është energjizuar ky degëzim nga furnizohen këto fshatra. Pastaj, kemi pasur 4 shkyçje manuale te të cilat ka qenë e nevojshme të ndërpritet dalja për të intervenuar në rregullimin e siguresës së djegur, izolatorit te dëmtuar, etj., dhe të gjitha këto shkyçje kanë zgjatur më së shumti 28 minuta. Pra, pohimi se dy ditë ka pasur ndërprerje në kohëzgjatje nuk qëndron, sepse ne kemi intervenuar me ta pranuar informatën se kemi konsumatorë pa energji”, ka thënë Viktor Buzhala, zëdhënës në KEDS.

Me probleme të tilla gjatë kësaj jave janë përballur edhe banorët e fshatrave Shushicë, Zhakovë, Kerrninë e Cerkolez të Komunës së Istogut.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme