Haziri premton se në Gjilan do të shtohet kapaciteti i ujit të pijshëm Foto: Koha

Haziri premton se në Gjilan do të shtohet kapaciteti i ujit të pijshëm

14 November 2019 16:23

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka paralajmëruar se së shpejti kësaj komune do t’i shtohet kapaciteti i ujit të pijshëm për 25 litra për sekondë.

Sipas një njoftimi për media, Haziri e bëri të ditur lajmin pas vizitës së punimeve në hapjen e tre puseve të reja në kazermën e Batalionit të Shpejtë të FSK, së bashku me drejtorin e kompanisë regjionale të ujit Hidromorava, Muhamet Suliqi.

“Shumë shpejtë do të furnizohemi nga këtu me ujin e pijshëm me kapacitet shtesë prej 25 litra për sekondë. Me mjetet e ndara prej 200 mijë eurosh nga ana e Komunës dhe Hidromoravës, po bëjmë hulumtimin edhe në lagjen Fidanishte, ku shpimet e reja shpresojmë të na sjellin rezultat për ta zbutur situatën emergjente të furnizimit me ujë të pijshëm”, tha Haziri.

Ai ka apeluar tek qytetarët që të vazhdojnë ta kursejnë ujin e pijshëm për ta përballuar gjendjen.

Drejtori i kompanisë regjionale të ujit Hidromorava, Muhamet Suliqi, tha se beson që shumë shpejtë do të aktivizohen këto puse, ndërkaq nga java e ardhshme do të kalohet në Fidanishte për hapjen e puseve të reja.

“Aktualisht po furnizohemi prej katër burimeve, nga penda e Përlepnicës, “Guri i Hoxhës”, në burimin e ujit në fshatin Velekincë dhe te “Baja”, ka thënë Suliqi.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme