Hanit të Elezit nuk i mjaftojnë paratë për ndërtimin e Shtëpisë së Kulturës, zgjaten punimet

Hanit të Elezit nuk i mjaftojnë paratë për ndërtimin e Shtëpisë së Kulturës, zgjaten punimet

07 December 2019 09:49

Shtëpia e Kulturës e cila ka filluar të ndërtohet në Komunën e Hanit të Elezit nuk do të përfundojë në këtë vit, për shkak të buxhetit të pamjaftueshëm.

Kryetari i Hanit të Elezit, Refki Suma, tha për Ekonomia Online se Shtëpia e Kulturës do të vazhdojë të ndërtohet deri në vitin 2021 ngase i duhet 700 mijë euro dhe kjo po bëhet me financim vetëm të komunës.

“Kemi filluar ndërtimin e Shtëpisë së Kulturës në Han të Elezit me buxhet të komunës. Projektet janë vazhdimësi sepse nuk munden të përfundojnë brenda vitit me buxhetin e komunës. Shtëpia e Kulturës do të vazhdojë edhe në vitin 2021 për shkak të vlerës 700 mijë euro që realisht për buxhetin e komunës është e pamundur të kryhet vet. Të gjitha projekte e planifikuara për këtë vit do të kryhen në këtë vit derisa të tjerat që kanë qenë të planifikuara me tepër do të vazhdojnë edhe me tutje”.

Hani i Elezit po përballet me probleme të ndryshme përveç ujit të pijshëm, kyçja në pikën kufitare po sjell probleme për qytetarët që jetojnë në fshatrat që lidhen me këtë pikë.

Suma tha se komuna po pëson çdo herë kur ka kompetenca të përziera.

“Problemi kyç është uji i pijshëm, edhe pse jemi në vitin 2019 kanë kaluar me tepër se 10 vite që kemi ndërtuar një fabrikë të ujit, nga ajo kohë ende nuk është funksonale për shkak të neglizhencës që kanë qenë edhe me kompanitë regjionale “Bifurkacioni” nuk e merr në menaxhim, në anën tjetër ka disa vite që do t’i kryejnë punët e veta. Kudo që po kemi kompetenca të përziera ne si komunë po pësojmë. Problemi tjetër është kyçja në pikën kufitare, siç dihet në këtë vit është ndërtuar Autostrada nga Hani i Elezit deri në Prishtinë”.

Suma deklaroi se gjatë ndërtimit të autostradës, “Bechtel Enka” ka dëmtuar rrugët e komunës ndërkaq ende nuk janë përfunduar ato dëmtime.

Suma kritikoi Ministrinë e Infrastrukturës për mosndërtimin e mbikalimit në autostradën “Arben Xhaferi” e cila ishte nënshkruar për qytetarët e fshatit Pladenicë por ende nuk është zbatuar.

Ai ka kërkuar nga qeveria në formim që të rrisë buxhetin për komunat pasi sipas tij të gjitha projektet po pësojnë për shkak të buxhetit.

“Kyçja ka disa probleme për shkak se shumica e qytetarëve jetojnë në disa fshatra që lidhen me pikën kufitare dhe ajo kalon në afërsi të terminalit doganor. Aty kemi një rrugë të ngushtë edhe pse është ndërtuar autostrada ne kemi biseduar me Bechtel Enka që bëhet zgjerimi i rrugës sepse kur bjen sistemi bllokohet në tërësi ajo pikë kufitare dhe qytetarët për një kohë të gjatë nuk munden të shkojnë në shtepitë e tyre. Gjatë ndërtimit të autostradës kemi pasur disa probleme, ministri ka premtuar se do të ndërtohet mbikalimi për qytetarët e fshatit Paldenicë, edhe pse është përuruar autostrada kjo çështje nuk ka përfunduar Pavarësisht marrëveshjes së nënshkruar, kjo cështje nuk është nënshkruar, ata thonë se do ta bëjnë, por ne nuk mund t’i zëmë besë”.

Suma theksoi se nëse ministria nuk i kryen obligimet që i ka nënshkruar, komuna do ta dërgoj në përmbarues.

“Kemi pasur edhe dëmtime të rrugës nga Bechtel Enka. Ministria nuk e ka obliguar Bechtel Enkën të kryej detyrimet që ka bërë gjatë ndërtimit. Nëse Ministria e Infrastrukturës nuk i kryen obligimet që i ka nënshkruar atëherë na detyron nëse si komunë të kërkojmë përmes përmbaruesve që t’i kryej obligimet që i ka marrë. Ajo që ne kërkojmë nga qeveria në ardhje që të shtohet buxheti për komunat e vogla pasi në vitin 2020 do të pësojnë pikërisht për shkak të buxhetit”, ka thënë Suma për EO.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme