Hungaria ekstradon në Kosovë një të dyshuar për krime lufte, Tahiri thotë se drejtësia i pret të gjithë kriminelët e luftës Foto: MD

Hungaria ekstradon në Kosovë një të dyshuar për krime lufte, Tahiri thotë se drejtësia i pret të gjithë kriminelët e luftës

17 May 2019 16:23

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, pas ekstradimit të një të dyshuari për krime lufte nga Hungaria në Kosovë, ka ritheksuar se barazia para ligjit do të vlejë për të gjithë.

Sipas ministrit, rendi juridik i Kosovës garanton respektimin e dinjitetit dhe të drejtave të secilës palë në procedurë.

“Sot, institucionet tona kanë realizuar ekstradimin nga Hungaria të një individi të dyshuar për krimet e luftës në Kosovë. Kemi dhënë garanci të plota se krahas ballafaqimit me përgjegjësinë, ne do të respektojmë dinjitetin dhe të drejtat e secilës palë në procedurë. Ka qenë përkushtim i vazhdueshëm dhe ne do mbetemi të përkushtuar edhe më tej që secili përgjegjës për krimet e luftës ndaj popullatës civile që kanë ndodhur në Kosovë gjatë viteve 1998-1999, do të dalë para drejtësisë dhe të përgjigjet për veprimet e veta”, citon MD-ja të ketë thënë Tahiri, raporton Koha.net.

Konsolidimi i bazës ligjore dhe rritja e kapaciteteve të organeve të sistemit të drejtësisë, sipas ministrit të Drejtësisë, është bërë pikërisht për të rritur efikasitetin e vendosjes së drejtësisë për viktimat e këtyre krimeve.

Ai thotë se Republika e Kosovës dhe rendi juridik i saj janë të mishëruara mbi bazën e parimeve më të shëndosha demokratike dhe atyre të drejtësisë.

“Zbatimi i të drejtave të njeriut, barazia para ligjit dhe secili segment që ndërlidhet me personat e dyshuar potencial për vepra penale, përfshirë edhe për ato që ndërlidhen me krimet e luftës vlejnë dhe do vlejnë gjithnjë”, përfundoi Tahiri.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme