Një muaj paraburgim për personin që sulmoi gjyqtarin në Vushtrri Foto: Koha / ilustrim

Një muaj paraburgim për personin që sulmoi gjyqtarin në Vushtrri

13 December 2019 11:59

Prokuroria Themelore në Mitrovicë - Departamenti i Përgjithshëm, ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë – dega Vushtrri caktimin e paraburgimit për të dyshuarin Sh.Sh nga Vushtrria, për shkak të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprës penale “Sulm ndaj personit zyrtar”.

Sipas kërkesës së prokurorisë të dorëzuar në gjykatë, ekziston dyshimi i bazuar se i dyshuari Sh.Sh, me datë 10.12.2019, rreth orës 15.15 në Vushtrri, e ka sulmuar personin zyrtar R.B, gjyqtar mbikëqyrës në Gjykatën Themelore në Mitrovicë – dega Vushtrri, në lidhje me detyrën zyrtare, konkretisht për shkak të një urdhërese, të cilën i dëmtuari në kuadër të detyrës së tij zyrtare e kishte nxjerrë ndaj të pandehurit Sh.Sh.

“I dyshuari Sh.Sh fillimisht e ndjek nga pas të dëmtuarin R.B, pastaj nga mbrapa e godet në pjesë të ndryshme të trupit, duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore në regjionin e fytyrës dhe këmbëve’, thuhet në njoftimin e Prokurorisë në Mitrovicë.

Sipas njoftimit, me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar që i dyshuari Sh.Sh ka kryer veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar”.

Gjyqtari i procedurës paraprake i Gjykatës Themelore në Mitrovicë, në seancën e mbajtur me datë 12 dhjetor, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë dhe i ka caktuar të dyshuarit masën e paraburgimit prej një muaji.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme