Dy të arrestuar në Ferizaj për vrasje të rëndë Foto: Koha/Ilustrim

Nga një muaj paraburgim ndaj dy të dyshuarve për vrasjen e një personi nga Ferizaj

13 December 2019 15:52
19:32

Nga një muaj paraburgim u është caktuar dy të dyshuarve për vrasjen e një personi nga Ferizaj.

Gjykata Themelore në Ferizaj – Departamenti për Krime të Rënda, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Ferizaj, për caktimin e masës së paraburgimit, ndaj të pandehurit T.L., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale vrasja e rëndë dhe veprës penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve dhe të pandehurin D.L. për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale ndihma në kryerjen e veprës penale vrasja e rendë, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

Gjykata shton se i pandehuri T.L. dyshohet se më 8 dhjetor 2019 në fshatin Surqinë - Komuna Ferizaj, ka privuar nga jeta viktimën Sh. B., pas një mosmarrëveshje mes tyre e cila ka rrjedhur si rezultat i një borxhi që i dyshuari ia kishte viktimës, në shumë prej 40,000 euro dhe meqë i pandehuri nuk kishte arritur të siguronte këtë shumë të parave, afër një shkolle në fshatin Suriqnë dhe pas një grindje paraprake e qëllon me armë në kokë nga mbrapa tani të ndjerin Sh.B, duke e lënë në vendin e ngjarjes, ndërsa më pas thërret vëllain e tij – të dyshuarin D.L. dhe së bashku e marrin trupin e viktimës dhe e dërgojnë në fshatin Kishnapole, ku e hudhin në një përrockë ku më pas i pandehuri T.L. e spërkat trupin e pa jetë me benzinë dhe ia vë flakën.

Andaj Gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin për Krime të Rënda – Mustaf Tahiri kërkesën e Prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të dyshuarve e ka aprovuar si të bazuar, dhe të njëjtëve u është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj.

Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.

15:52

Dy të arrestuar në Ferizaj për vrasje të rëndë

Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti për Krime të Rënda, njofton opinionin se ka paraqitur kërkesë në Gjykatën Themelore në Ferizaj për caktimin e masës së paraburgimit kundër dy personave të pandehur të cilët gjenden në ndalim që nga data 12 dhjetor 2019.

“Sipas kërkesës së Prokurorisë të dorëzuar në Gjykatën Themelore në Ferizaj, ekziston dyshimi i arsyeshëm se i pandehuri T.L., ka privuar nga jeta viktimën SH.B., me të cilën do të kryente veprën penale “Vrasje e rëndë” sipas nenit 173 paragrafi 3, nënparagrafi. 1.4 dhe 1.6 dhe veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 paragrafi 1.të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). Ndërsa, sipas kërkesës, ekziston dyshimi i arsyeshëm se i pandehuri tjetër D.L., ka ndihmuar të dyshuarin T.L., në ndërrmarrjen e veprimeve pas kryerjes së veprës penale ndaj tani viktimës SH.B., me të cilën do të kryente veprën penale “Ndihma në kryerjen e veprës penale Vrasje e rëndë, nga neni 173 paragrafi 1. nënparagrafi 1.4 dhe 1.6 lidhur me nenin 33 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, thuhet në njoftimin për media.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme