Pas tërmetit, në Durrës nisin arrestimet e ndërtuesve ilegalë Foto: Koha

Pas tërmetit tragjik në Shqipëri, policia arreston 9 persona dhe 8 të tjerë i shpall në kërkim

14 December 2019 09:24
16:37

Pas tërmetit vdekjeprurës të 26 nëntorit në Shqipëri, kanë nisur arrestimet e para në Durrës.

Policia atje njofton se 9 persona ka arrestuar dhe 8 të tjerë janë në kërkim pasi prokuroria e Durrësit kishte lëshuar urdhërarreste për 17 persona.

Përmes një deklarate për mediat, policia e shtetit dhe prokuroria kanë bërë të ditur se ndalimet janë ndërmarrë pas hetimeve dhe verifikimeve të dokumenteve.

“Hetimet do të vazhdojnë edhe më tej, për shkeljet e bëra jo vetëm në objektet që sollën viktima, por dhe ato të dëmtuara. Në prokurorinë e Durrësit u morën në pyetje më shumë se 90 persona mes tyre inxhinierë, pronarë objektesh dhe zbatues. Ndërsa hetimet u përfshinë të paktën 60 kompani ndërtimi”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.

11:44

Ndalohen 35 persona në Durrës lidhur me ndërtesat e shembura pas tërmetit

Pas tërmetit vdekjeprurës të 26 nëntorit, kanë nisur arrestimet e para sot në Durrës.

35 persona janë shoqëruar nga policia, në mesin e të cilëve punëtorë të Administratës shtetërore.

Ka 17 urdhërarreste për zyrtarë dhe ish-zyrtarë të Durrësit. Arrestimet vijnë pasi që kryeprokurori i ri, Olsian Çela, kërkoi konkretizim të hetimeve, pas një takimi që zhvilloi në prokurorinë e Durrësit dhe Krujës. Të kërkuarit dyshohet se kanë lidhje me ndërtesat e shembura në Durrës, ku pati 25 persona të vdekur.

Zyrtarët e arrestuar do të përballen me akuzat për veprat penale “Ndërtim pa leje” dhe “Shpërdorim detyre”, parashikuar nga nenet 199/a, 3 dhe 248 të Kodit Penal të Shqipërisë.

09:24

Pas tërmetit, në Durrës nisin arrestimet e ndërtuesve ilegalë

Pas tërmetit vdekjeprurës të 26 nëntorit, kanë nisur arrestimet e para sot në Durrës.

Raportohet për disa urdhër arreste. Ahmet Doda i Kavalishensës është ndër të parët që është arrestuar bashkë me një zyrtarë të lartë të shtëpisë së pushimit të oficerëve në Durrës.

Prokuroria e Durrësit ka nisur që nga 29 nëntori të merret me hetime në lidhje me mënyrën e ndërtimit të disa objekteve që u shembën nga tërmeti e ku vdiqën 25 persona. Dy zyrtarët e arrestuar do të përballen me akuzat për veprat penale “Ndërtim pa leje” dhe “Shpërdorim detyre”, parashikuar nga nenet 199/a, 3 dhe 248 të Kodit Penal të Shqipërisë.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme