Muzeu organizon aktivitete për fëmijë në Ditët e Trashëgimisë Evropiane

Muzeu organizon aktivitete për fëmijë në Ditët e Trashëgimisë Evropiane

11 October 2019 16:51

Muzeu i Kosovës në kuadër të Ditëve të Trashëgimisë Evropiane ka organizuar aktivitete të ndryshme për fëmijë me moton “Art dhe Argëtim”.

Sipas drejtoreshës së Muzeut, Alisa Gojani-Berisha, qëllimi i aktiviteteve të tilla është hapja e institucioneve dhe komunikimi me publikun ndërsa si pikë kryesor duhet të jetë stimulimi i bashkëpunimit më komunitetin.

Ndër tjera ajo theksoi se duhet të ekzistojë një bashkëpunim me shkollat në mënyrë që të krijohet hapësirë për të rinjtë dhe fëmijët që të komunikojnë me artefaktet që gjenden në këtë muze duke ngritur kështu vetëdijen për trashëgiminë kulturore të vendit, transmeton kp. 

Sipas saj aktivitetet të tilla janë të domosdoshme duke theksuar se trashëgimia është e të gjithëve dhe se duhet një përkushtim për ta ruajtur atë.

“Qëllimi i këtyre aktiviteteve në muzeun e Kosovës ka të bëjë me stimulimin e bashkëpunimit me komunitetin në Kosovë, me theks të veçante tek shkollat që të ofrojnë më shumë hapësirë fëmijëve dhe të rinjve që të komunikojnë për së afërmi më artefaktet e muzeut të Kosovës”, tha Gojani-Berisha.

Koordinatorja e këtij projekti, Besnike Rraci-Gjikolli, tha se Ditët e Trashëgimisë Evropiane kanë filluar të shënohen që nga viti 1991 kurse Muzeu i Kosovës organizon aktivitete në 10 vitet e fundit për nder të këtyre ditëve.

Duke folur për rëndësinë që kanë aktivitete e tilla ajo tregoi edhe për aktivitete të cilat do t’i zhvillojnë më fëmijët.

“Ne kemi caktuar disa aktivitete për fëmijë, kemi filluar me leximin e përrallës për fëmijë që është produkt nga Muzeu Kombëtar i Kosovës që lidhet me trashëgiminë kulturore, pastaj kemi punëdore, çdoherë duke u munduar që përmes lojës të mësojnë sa më shumë pastaj kemi skicime të ndryshme”, tha Rraci-Gjikolli.

Kujtojmë se në të gjithë Evropën, prej muajit shtator, Ditët e Trashëgimisë Evropiane hapin dyert e monumenteve dhe vendeve të shumta, duke u lejuar qytetarëve të Evropës ta gëzojnë dhe të mësojnë për trashëgiminë e tyre të përbashkët kulturore dhe t'i inkurajojnë ata të përfshihen në mënyrë aktive në ruajtjen dhe përmirësimin e kësaj trashëgimie për brezat e tanishëm dhe të ardhshëm.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme