Dyshja që sfidon konceptin e imazhit merr çmimin “Gjon Mili” Foto: Koha

Dyshja që sfidon konceptin e imazhit merr çmimin “Gjon Mili”

Alberina Haxhijaj Alberina Haxhijaj 18 October 2019 17:10

Dymbëdhjetë artistët e çmimit “Gjon Mili” kanë pasur një detyrë: të gjejnë linjën midis faktit dhe trillimit, por edhe të shfaqin transicionin nëpër të cilën kanë kaluar koncepti për fotografinë e shoqëria. Sipas jurisë, më se miri e kanë bërë këtë, Edona Kryeziu dhe Valentina Bonizzi.

Të mërkurën mbrëma, në Galerinë Kombëtare të Kosovës, kjo dyshe është shpallur fituese e edicionit të 16-të të këtij çmimi, shkruan sot Koha Ditore. 

Në garë kanë qenë edhe Albe Hamiti, Altin Krasniqi, Arbnor Karaliti, Edson Luli, Fidan Bejtullahu, Jon Mithi, Laureta Hajrrullahu, Valdrin Thaqi, Somer Spat dhe Neron Deshishku. Të gjitha veprat janë bërë tok në ekspozitën, “Në transicion: Imazhet mes faktit dhe trillimit”.

Kryeziu për të realizuar veprën e saj “Përshëndetje nga tjetërkund” – videoinstalacion dhe fotografi – ka gjurmuar nëpër imazhe të cilat siç ka thënë ajo e kanë ndjekur gjatë gjithë kohës. Videoinstalacioni sjell disa video të incizuara nga familja e saj gjatë viteve të ‘90 në Gjermani.

Pamje nga rrugët e vendit të ri ku ishte vendosur familja Kryeziu, momente familjare ku vallëzohet, qahet, e qeshet janë pjesë e xhirimeve të cilat nuk kanë zë. Ato shoqërohen me muzikë të realizuar nga muzikanti Liburn Jupolli. Përsëritja e tingullit kthehet në një melodi ndjekëse njëlloj siç kanë qenë për artisten imazhet që shfaqen.

“Ndonjëherë kujtimet janë të vërteta e ndonjëherë ka edhe fiksion, mirëpo emocionet të cilat i kam unë si e vogël janë të lidhura me këtë ndjenjën e të ndjekurit, sikur je në ndjekje të diçkaje”, ka thënë Kryeziu. Përmes videoinstalacionit ka thënë se ka dashur që të sjellë emocionet që familja e saj ka kaluar gjatë atyre viteve.

“Kur kam qenë e vogël nuk e ka kuptuar luftën, por e kam pasur një ndjenjë për të. E kam kuptuar atë prej prindërve të mi, si i kanë shikuar lajmet, kanë vizituar njëri-tjetrin, e prej mërzisë edhe kanë vallëzuar”, ka thënë ajo. Sipas saj, ka eksploruar edhe transicionin nëpër të cilin kalojnë ata që migrojnë.

“Janë video të familjes para edhe pas luftës që familja i ka xhiruar për t’ua dërguar familjarëve në Kosovë. Unë kam dashur që ta eksploroj këtë gjendjen e diasporës, transitin e tyre. Për mamin e babin, por edhe të tjerët që janë në Gjermani, janë në një lloj gjendjeje transicioni pasi që gjithmonë mendojnë për Kosovën dhe për të kaluarën”, ka thënë ajo.

Kryeziu, e cila është 25-vjeçare është lindur dhe rritur në Gjermani. Ajo është marrë me art, mirëpo nuk ka studiuar për të. Kreu studimet për shkenca politike dhe ka synim që t’i vazhdojë ato për antropologji, për migracion dhe diasporën.

Për të realizuar fotografitë, pjesë e veprës së saj, Kryeziu ishte kthyer në vendin ku kishte jetuar familja e saj në fillim të migrimit. Kishte fotografuar ndërtesën, dhe detaje të tjera si duart e saj dhe të nënës.

Në anën tjetër, artistja Valentina Bonizzi është paraqitur me dy video. Në videon katërminutëshe, “How Many Clouds Can We Put Up There” paraqitet Jerry Luchanskyn, përgjegjës për fotografitë në Arkivin Kombëtare në SHBA. Në “Homage to Kafka”, në tetë minuta personazhe janë përgjegjësi për rojë në Kryeministrinë e Shqipërisë, Zef Mali dhe përgjegjësja për pastrim, Feride Cara. Shoqërohen me leximin e tregimit “Para ligjit” të Franz Kafkas. Artistja Bonizzi nuk ishte e pranishme në ekspozitë. Ajo punon me mediume të ndryshme si film, fotografi, arkiva, dhe intervenime artistike me muzikë dhe dialog. Ka ekspozuar në disa vende, si Romë, Glasgow, Edinburgh, Milan, Dundee e të tjera.

Kuratori João Ribas ka thënë se vepra e Bonizzit dhe të tjerat tregojnë se sa shumë fiksion mund të ketë në një fakt dhe sa shumë fakte fshihen prapa shtresave të fiksionit.

“Jeni në duar të mira, sepse artistët këtu po u tregojnë pikërisht ato lloj gjërash për të cilat duhet të jemi duke menduar. Në gjithë këtë zhurmë ka diçka së cilës duhet t’i kushtohet vëmendje dhe gjithmonë duhet lejuar artistët që të na dërgojnë atje”, ka thënë ai duke ftuar më shumë artistë që të aplikojnë në edicionet e ardhshme.

Për këtë ekspozitë ai ka thënë se ka dashur që të zgjedhë artistë, veprat e të cilëve jo vetëm që i përgjigjen konceptit kuratorial, mirëpo siç ka thënë ai edhe bisedojnë me njëra-tjetrën.

“Ekspozita e ka brenda titullit të saj fjalën transicion dhe kjo nënkupton që jo vetëm veprat që janë pjesë e kësaj ekspozite janë në transicion, por edhe vetë fotografia është në transicion”, ka thënë ai. Po ashtu, ka thënë se ai mendon që e tashmja është një tension ku ka besim, por njëkohësisht edhe dyshim në vërtetësinë e imazheve.

“Është ironike, sepse jetojmë në një kohë kur bombardohemi nga imazhet, por gjithashtu jetojmë në një kohë kur shohim shumë imazhe të cilave nuk u besojmë. Prandaj, ku është linja kufizuese e kësaj? Veprat në ekspozitë nuk flasin vetëm për transicionin e fotografisë, por edhe për këtë linjë në mes të asaj që e konsiderojmë fakt dhe asaj që e konsiderojmë fiksion”, ka thënë ai.

Ka thënë se ndonjëherë një fakt personal i dikujt i bëhet pjesë e një historie më të madhe.

“Ose fiksioni i dikujt tregon se çfarë ka ndodhur, qoftë ajo një histori personale ose historike dhe fotografi është mënyra për ta shfaqur këtë”, ka thënë ai, duke aluduar në dy veprat fituese.

Joao Ribas është shkrimtar dhe kurator me bazë në Porto. Ai më parë ishte drejtor i muzeut të arteve bashkëkohore “Serralves” në Porto, ku gjithashtu mbajti postin e zëvendësdrejtorit dhe kuratorit të lartë (2014-2018). Ribas, po ashtu, ishte kurator i “MIT List Visual Arts Center” (2009-13) dhe i Qendrës së Vizatimeve në New York (2007-09).

Anëtarë të jurisë për këtë vit ishin drejtoresha e Institutit Italian për Kulturë, Alessandra Bertini - Malgarini, kuratorja e filmit në Muzeun e Artit Bashkëkohor në Shkup, Kumjana Novakova dhe drejtori artistik i “DokuFestit”, Veton Nurkollari. Ky i fundit ka lexuar vendimin e jurisë ku ishte shkruar se në këtë botë të ndryshueshme të imazheve kontemporane, juria është e gëzuar që ka gjetur një numër të madh të punimeve kualitative.

“Në linjë me konceptin kuratorial ‘Në transicion: Imazhet mes faktit dhe trillimit’ një numër i propozimeve mjaft interesante janë dorëzuar duke e vënë në pyetje nocionin e fotografisë. Punimet e ndryshme kanë eksploruar fushën e fotografisë tradicionale deri të largimi radikal i punëve pa imazh, duke përfshirë mungesën e imazheve, zhdukjen dhe rishfaqjen e tyre apo transparencën”, ka lexuar Nurkollari.

Juria siç ka lexuar ai, beson që kjo ekspozitë do të kontribuojë në diskutimin e vazhdueshëm mbi fotografinë dhe duke pasur parasysh këtë, juria ka vendosur që çmimin t’ua ndajë Kryeziut dhe Bonizzit.

Drejtoresha e Galerisë Kombëtare të Kosovës, Arta Agani, ka thënë se ekspozita ka ardhur pas një pune intensive nga artistët, kuratori dhe stafi i GKK-së.

“Aplikantët i janë përgjigjur temës së zgjedhur nga kuratori pas hulumtimit të skenës në Kosovë dhe pas takimeve me artistë, ku u përmend shumë shpesh fjala transicion dhe pikërisht për këtë ai vendosi që këtë edicion ta titullojë ‘Në transicion: Imazhet mes faktit dhe trillimit’”, ka thënë ajo.

Ambasadori i Italisë në Kosovë, Piero Cristoforo Sardi, ka thënë se ai beson që kultura është një pjesë e rëndësishme e lidhjeve në mes të shteteve.

“Kur morëm ftesën nga drejtoresha e GKK-së dhe Institutit Italian në Tiranë që mbulon edhe Kosovën patëm shumë dëshirë që të jemi pjesë e kësaj ngjarjeje, e tani mund të them se jemi dyfish më të lumtur duke marrë parasysh se pjesëmarrja këtu është dëshmi e gjallërisë së skenës kulturore”, ka thënë ai.

Ekspozita “Në transicion: Imazhet mes faktit dhe trillimit” do të jetë e hapur për një muaj.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme