Instituti i Monumenteve jep në shfrytëzim Kalanë e Vushtrrisë, komuna s’dorëzon çelësat

18 October 2019 19:14

Kalaja qindravjeçare e Vushtrrisë, brenda një dite u kthye në objekt për gastronomi.

Kjo pas një vendimi që mori Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve Kulturore për t’ia dhënë në shfrytëzim atë biznesmenit Mentor Salihu, i cili edhe para dy vjetëve kishte bërë të njëjtën kërkesë, raporton KTV.

Mirëpo, shfrytëzimi për gastronomi po shihet si i dëmshëm për gjendjen dhe të ardhmen e kalasë.

Egzona Azemi, cicerone, thotë që monumenti ka status arkeologjik dhe vetëm Instituti i Arkeologjisë mund të marrë vendim për dhënien e lejes për shfrytëzim

Edhe Komuna e Vushtrrisë ka dalë kundër një vendimi të tillë. Kryetari i Komunës, Xhafer Tahiri, thotë që komuna nuk do t’i dorëzojë çelësat e kalasë.

Vushtrriasit, po ashtu, po e shohin si të pavend dhënien në shfrytëzim të trashëgimisë kulturore.

Por, një version tjetër për këtë vendim ka drejtori i IKMM-së, Ismet Hajrullahu. Ai thotë që është bërë një gabim në shkrimin e vendimit, pasi që në shfrytëzim është dhënë vetëm një kioskë.

E përfituesi nga ky vendim, Mentor Salihu, ka edhe lidhje familjare me ish-kryetarin e Komunës së Vushtrrisë, Bajram Mulakun, dhe kishte kërkuar edhe në vitin 2017 të marrë në shfrytëzim Kalanë e Vushtrrisë. Një gjë e tillë ishte parë si antiligjore. Ky vendim pastaj ishte tërhequr.

Lidhur me investimet që planifikon t’i bëjë në Kala, Salihu nuk ka dhënë asnjë përgjigje për televizionin.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme