“New Born” debuton para publikut me koncert në Kroaci

“New Born” debuton para publikut me koncert në Kroaci

Alberina Haxhijaj Alberina Haxhijaj 19 October 2019 14:27

Njëmbëdhjetë muzikantë kosovarë nën titullin “New Born” ia kanë vënë vetes synim që të bëjnë promovimin e muzikës kombëtare.

Ansambli i themeluar tre muaj më parë do të debutojë para publikut të shtunën (sot). E këtë nuk do ta bëjë para publikut vendës, por në “Hrvatski Glazbeni Zavod” në Zagreb të Kroacisë.

Koncerti dirigjohet nga Edon Ramadani. E “urdhrave” të tij do t’u binden Zana Abazi-Ramadani (soprano), Kaltrina Krasniqi (flaut), Shkumbin Bajraktari (klarinetë) Avni Krasniqi (trumbetë), Betim Krasniqi (trombon), Gëzim Latifi e Erlinda Gashi në violinë, Vjosa Hoxha-Ferati (violë), Arian Zherka (violonçel) dhe Shkodran Osmanaj (kontrabas).

Trumbetisti Avni Krasniqi ka thënë se synim parësor i “New Born”, i themeluar nga 9 instrumentistë, një solokëngëtare dhe një dirigjent, është promovimi i muzikën kombëtare.

“Qëllimi i ansamblit ”New Born” është promovimi i vlerave të muzikës kombëtare të servuara në një frymë artistike me shumë aranzhime të krijuara enkas për këtë ansambël”, ka thënë ai.

Disa nga perlat e muzikës shqiptare do të shpalosen përmes këtij ansambli në Kroaci. Këngët tradicionale, si “Asaman” dhe “O moj bukuroshe”, të aranzhuar nga Edon Ramadani, do të jenë disa prej tyre. Ramadani po ashtu ka aranzhuar për këtë ansambël edhe këngët “Dashnor t’u bana” të kompozitorit Shime Deshpali, “E kujtoj atë takim” të Pranvera Badivukut , “Vet ke mbet” nga Severin Kajtazi, “Lamtumirë” nga Muharrem Qena, “Valsi i Lumturisë” nga Avni Mula, “Baresha” nga Rexho Mulliqi, “Unë biri yt Kosovë” nga Feim Ibrahimi, të cilat po ashtu do të jenë pjesë e repertorit në Kroaci. Në repertor është edhe kënga “Mallëngjimi” nga Rashid Krasniqi e aranzhuar nga Valton Beqiri.

Krasniqi ka thënë se anëtarët e ansamblit si solistë dhe me formacione të ndryshme kanë performuar në shumë vende të botës si: Japoni, Amerike, Itali, Francë, Angli, Turqi e të tjera.

“Ansambli ‘New Born’ është i përbërë nga muzikantë profesionistë dhe të gjithë janë pjesë e rëndësishme e skenës muzikore kosovare. Shumica prej tyre janë pjesë e institucioneve më të rëndësishme muzikore në vend, si pedagogë në universitete dhe shkolla të muzikës, gjithashtu dhe si instrumentistë të Filarmonisë së Kosovës por dhe Orkestrës frymore të Forcave të Sigurisë së Kosovës”, ka thënë ai.

Në paraqitjen e parë para publikut këtij ansambli nuk do t’i mungojnë as këngë të kompozitorëve të huaj. Disa prej kompozimeve të huaja që do të interpretohen nga ansambli “New Born” janë: “Share my yoke” nga Job Webb, “Je veux vivre” nga Charles Gounod dhe “Concierto de Aranjuez - Adagio” nga Joaquin Rodrigo.

Koncerti organizohet nga Këshilli i Pakicës Kombëtare Shqiptare e qytetit të Zagrebit.

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme