“Anibari” me punëtori të animacionit për promovimin e trashëgimisë kulturore

“Anibari” me punëtori të animacionit për promovimin e trashëgimisë kulturore

Alberina Haxhijaj Alberina Haxhijaj 21 October 2019 08:52

Për pesë ditë, dhjetë të rinj përmes animacionit do të mësojnë më shumë për muzikën dhe vallëzimin tradicional. Për të njëjtat do të realizojnë edhe një video të shkurtër të animuar. Pjesëmarrësit, punën e tyre në fushën e animacionit e kanë filluar të premten.

Të martën, kur të përfundojë punëtoria “Muzika dhe vallëzimi tradicional” e organizuar nga “Anibar”, ata do të kenë marrë njohuritë bazë mbi animacionin, shkruan sot “Koha Ditore”. Gjithçka po realizohet nën instruksionet e animatores Kaltrina Berisha. Ajo përmes animacionit po i udhëheq të rinjtë në eksplorimin e traditës.

Berisha, e cila është mentore në Akademinë e Animacionit në Prishtinë, hapat e parë në animacion i ka marrë edhe vetë përmes punëtorive të tilla të animacionit të organizuara nga “Anibar”. Së fundi, ajo ka realizuar karakteret në filmin e shkurtër të animuar kosovar “N’kornizë”, me regji të Gëzim Ramizit. Berisha ka treguar se deri tani janë zgjedhur disa këngë nga këngëtarët e folklorit si Rizah Bllaca, Dervish Shaqa e Hamide Sadiku. Por, siç ka thënë ajo, pjesëmarrësit janë akoma duke hulumtuar rreth temës “Muzika dhe vallëzimi tradicional”.

Arlinda Kastrati, koordinatore e projektit “Promovimi i trashëgimisë kulturore në rajonin e Pejës”, ka thënë se me shumë entuziazëm, pjesëmarrësit veçse kanë filluar të vendosin shtyllat e para të krijimit të animacionit që do të përmbajë luajtjen e një vallëzimi dhe një muzikë tradicionale. Kastrati ka treguar më shumë edhe për qëllimin e kësaj punëtorie.

Sipas saj, përmes punëtorive të ngjashme të organizuara nga “Anibar”, pjesëmarrësit po marrin edhe njohuritë bazë mbi animacionin dhe po nxitet edukimi i një gjenerate të re animatorësh në vend.

Ajo ka thënë se punëtoria e radhës do të mbahet në nëntor në kinemanë “Jusuf Gërvalla” dhe se detajet për të do të bëhen të ditura gjatë ditëve në vazhdim.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme