Ankesa kundër shfuqizimit të vendimit për marrjen me qira në Kalanë e Vushtrrisë

Leonita Bajrami 05 November 2019 19:38

Brenda një dite ishte vendosur që Kalaja e Vjetër e Vushtrrisë të shfrytëzohet për gastronomi.

E, një vendim i tillë u hodh poshtë nga Inspektorati për Trashëgimi Kulturore, në të cilin thuhet se vendimi i Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve Kulturore, ishte i paligjshëm, raporton KTV.

Sipas inspektorit të rastit, Pajtim Zogaj, një kompetencë e tillë i takon vetëm Institutit Arkeologjik të Kosovës.

Kjo ka bërë që personi i autorizuar për shfrytëzimin e Kalasë, Mentor Salihu, të bëjë edhe ankesë ndaj vendimit të Inspektoratit për Trashëgimi Kulturore.

“Inspektorati, në mënyrë të gabuar, ka vlerësuar vendimin e Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve dhe kërkesën e pronarit të ‘Dardania Castle sh.p’, pasi leja e lëshuar është për një objekt mobil, i vendosur përkohësisht në hapësirën e Kalasë, i cili qëndron aty për më shumë se 7 vjet dhe funksionalizimi i tij vetëm sa do të ishte në favor të monumentit, si në aspektin e sigurisë, të mirëmbajtjes dhe në shërbim të vizitorëve”, thuhet në ankesën e Salihut.

Mirëpo, Mentor Salihu nuk është i vetmi që është ankuar ndaj vendimit të Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore.

Edhe IKMM-ja, konsideron se ka vepruar sipas kompetencave që i takojnë kur vendosi që Kalanë e Vushtrrisë, përkatësisht kioskën që ndodhet aty, ta japin për shfrytëzim.

“Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve sqaron se nuk ka veprim të paautorizuar në Kalanë e Vjetër në Vushtrri. Në vendimin 69/2019 të dt.18.10.2019, ka vepruar në bazë të kompetencave që ka si pronar i ligjshëm i Kalasë”.

Më tutje, në vendimin e Inspektoratit thuhet që palët e interesuara, që ta marrin në shfrytëzim Kalanë e Vushtrrisë, duhet të kërkojnë leje nga Instituti Arkeologjik i Kosovës.

E, drejtori i këtij instituti, Enver Rexhaj, thotë që nuk ka pasur bashkëpunim ndërmjet institucioneve për dhënien me qira të Kalasë.

Në tetor të këtij viti, Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve mori vendim që kioskën brenda Kalasë së Vjetër të Vushtrrisë t’ia japë në shfrytëzim për gastronomi kompanisë “Dardania Castle”.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme