“Artistët e së nesërmes” në triptik për fatet njerëzore

“Artistët e së nesërmes” në triptik për fatet njerëzore

Shaban Maxharraj Shaban Maxharraj 08 November 2019 08:55

Përvojat e të jetuarit me dy identitete, një lloj proteste për shkatërrimin industrial e përjetimi kur njeriu s’e ka në dorë vullnetin, janë trinomi i veprave të finalistëve për çmimin “Artistët e së nesërmes” të këtij viti. Janë të ndryshme në stile, por ajo që i bashkon është se merren me fatet njerëzore.

Edona Kryeziu është e lindur në Köln të Gjermanisë. Është fëmijë emigrantësh që nga Kosova në vitet ‘90 ia kishin mësyrë shtetit gjerman. Edhe në të kaluarën, edhe tash, Kryeziu përballet me njëfarë identiteti të dyfishtë. Është gjermane, por edhe shqiptare e Kosovës. Ajo është e bindur se ky ambiguitet është i pranishëm te shumica e fëmijëve të emigrantëve.

Krejt këtë e ka përmbledhur në veprën e saj “Strange temporalities” (Përkohshmëritë e çuditshme). Me nga një xham e titra përballë, vizitorët e ekspozitës së hapur të mërkurën mbrëma në qendrën për art bashkëkohor, “Stacion” dëgjojnë tri rrëfimet e të huajve e fëmijëve të emigrantëve që jetojnë në Gjermani. Zëri në gjermanisht dëgjohet nga pajisje që janë prapa vizitorëve. Rrëfimet përmbledhin përjetimet e personazheve anonime. Një prej tyre kujton udhëtimin nga Kosova në Gjermani. Përshkruan se si gjatë kalimit nëpër Serbi i ati i luste që të mos flasin shqip e edhe u jepte para policëve për t’i shmangur disa procedura burokratike. Ajo që shpërfaqin rrëfimet e ka munduar dhe vazhdon ta mundojë Edona Kryeziun.

Një mur i improvizuar e ndan veprën e Kryeziut me atë të artistit nga Prizreni, Somer Şpat. Me “We Build Railways, Railways Build Us” i ka bërë një lloj homazhi linjës hekurudhore Prizren-Klinë.

Krejt afër veprës së Şpat, kolegu i tij në artin konceptual, Dion Zeqiri flet për pamundësinë e shprehjes së vullnetit.

Çmimi “Artistët e së nesërmes” është pjesë e programit që ndan çmimin për artistët e ri në fushën e arteve vizuale YVAA (Young Visual Artists Awards).

Juria në përbërje të Charles Esche, drejtor i “Van Abbemuseum” në Holandë, Qëndresë Deda, artiste, fituese e çmimit “Artistët e së nesërmes” 2018, Adam Kleinman nga Fondacionin Kadist Art, Sezgin Boynik, teoricien, Jelena Vesiq, kuratore e shkrimtare, janë ata që do t’i vlerësojnë veprat për këtë vit. Çmimi u themelua në vitin 1989 në Çekosllovaki nga presidenti i asaj kohe Vaclav Havel e artistët disidentë, që kishin për qëllim përkrahjen e ngritjes dhe zhvillimit të artit bashkëkohor dhe shoqërisë civile.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme