Dëmet nga shiu mbyllin disa salla leximi në Bibliotekën Kombëtare

Fitim Majkovci 08 November 2019 19:38

Reshjet e shiut gjatë ditëve të fundit në vend, kanë bërë që hapësira të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, të përfshihen nga uji.

Depërtimi i ujit në salla të leximit dhe në hapësirat tjera punuese të BKK-së, është bërë shkaku i punimeve që po bëhen për renovimin e kulmit të këtij institucioni.

Punimet në renovimin e kulmit të bibliotekës, ka bërë që puna brenda këtij institucioni të vështirësohet.

Shumë hapësira brenda bibliotekës kanë mbetur të pashfrytëzuara, derisa është mbyllur edhe njëra prej sallave më të mëdha të leximit aty, si shkak i depërtimit të ujit.

Reshjet e vazhdueshme dhe rrjedhja e ujit nga kulmi i bibliotekës, kanë bërë që punëtorë të BKK-së të punojnë edhe jashtë orarit për sanimin e gjendjes.

Ndonëse jo zyrtarisht, nga BKK-ja thonë se renovimi i kulmit është dashur të nisej më herët e jo në stinën kur ka më së shumti reshje.

Derisa në një përgjigje me shkrim, nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit, punën e nisur në këtë kohë e kanë arsyetuar me faktin se ka pasur vonesa nga Komuna e Prishtinës për dhënie të lejes.

Aty thuhet se kërkesa për renovim i është bërë Komunës më 15 gusht dhe përgjigja është marrë më 5 shtator.

"Kontrata për projektin është lidhur me 5 korrik të këtij viti. Organi mbikëqyrës është caktuar nga Sekretari i Përgjithshëm, më 29 korrik. Ndërkohë, menaxhmenti i BKK-së ka parashtruar kërkesë në Komunën e Prishtinës për leje të renovimit 15 gusht, ndërsa përfundimisht është marrë përgjigja me 5 shtator të këtij viti. Menjëherë pas marrjes së pëlqimit nga Komuna, kontraktuesi ka filluar punimet, më 11 shator 2019. Konsiderojmë se asnjëra prej vonesave nuk është bërë qëllimisht, apo nga neglizhenca, por kanë qenë pjesë e procedurave që duhen ndërmarrë para fillimit të ekzekutimit të çfarëdo projekti”, ka thënë Sebahate Boshnjaku nga Zyra e Prokurimit, MKRS.

Punimet për izolimin e kulmit kanë nisur më 11 shtator dhe, sipas kontratës së projektit, ato zgjasin 120 ditë. Këto punime, në total, do të kushtojnë rreth 200 mijë euro.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme