Kritika italiane: Marigona Qerkezin e pret karrierë e suksesshme

Kritika italiane: Marigona Qerkezin e pret karrierë e suksesshme

Alberina Haxhijaj Alberina Haxhijaj 12 November 2019 10:04

Prishtinë, 12 nëntor – Sopranoja e njohur nga Kosova, Marigona Qerkezi, ka qenë jo një herë në sy të kritikës operistike italiane gjatë dy muajve të fundit. Është përgëzuar nga ana e tyre në kritikat që ata kanë shkruar për operën “Guglielmo Tell”, të fundit të kompozuar nga Gioacchino Rossini. Katër paraqitje ka pasur ajo prej shtatorit deri më tani në teatro të njohur e me traditë në Itali, e të gjitha janë pritur me duartrokitje e kritika pozitive.

Në këtë operë ajo është Matilda, një rol sa i pasur aq edhe i vështirë në aspektin vokal, një nga të preferuarit e saj. Mënyra se si është pritur, Qerkezi thotë ta ketë bërë të lumtur.

Viti 2020 do ta sjellë sopranon në të njëjtin rol edhe në tre teatro të tjerë, duke e dërguar në gjashtë numrin e skenave italiane ku ajo ka rolin e Matildës.

Do të paraqitet në “Teatro Donizetti”, në Bergamo më 17 janar, “Teatro Fraschini” në Pavia më 24 janar dhe së fundi i është konfirmuar edhe paraqitja në “Teatro Verdi”, në Pisa, më 22 shkurt.

“La Salon Musical”, një platformë e krijuar nga kritiku dhe muzikologu Alessando Cammarano, është shkruar se shumë duartrokitje të publikut kanë shpërthyer pas akteve kulmore të Marigona Qerkezit në petkun e Matildës, e cila u veçua edhe për elegancën e frazimit. Ai e ka përshkruar paraqitjen e parë të sopranos më 26 shtator. Në të njëjtin artikull kritiku Marco Ubezio nuk ka lënë pa e përmendur as baritonin shqiptar Gëzim Myshketa, i cili ka pasur rolin e William Tell.

“Sopranoja kosovare Marigona Qerkezi, fituese e shumë çmimeve operistike, është rritur me operën në familje dhe profesoreshë të kantos e ka nënën e saj, mexosopranon Merita Juniku. Pavarësisht moshës shumë të re, ajo tanimë ka një storie të rëndësishme personale dhe profesionale. Qysh nga debutimi i saj në ‘Royal Opera House Muscat’ me rolin e Königin der nacht në ‘Die Zauberflöte’ të Mozartit, që erdhi pas fitores në Konkursin Operistik ‘AsLiCo’ në Como, me një traditë dhe juri shumë prestigjioze, ajo nuk i ndali sukseset dhe debutimet në rolet kryesore për soprano në skenat më të rëndësishme të teatrove në Itali dhe jashtë Italisë, si në Spanjë, Japoni, Amerikë, Oman, Gjermani, Angli, Holandë, Kroaci e të tjera.

(Gjerësisht, sot në “kohën Ditore”)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme