Lamtumira e fundit për Arzana Krajën, që jetoi e iku shpejt

Lamtumira e fundit për Arzana Krajën, që jetoi e iku shpejt

Shaban Maxharraj Shaban Maxharraj 15 November 2019 08:30

Familjarë, miq, bashkëpunëtorë e qytetarë të shumtë janë mbledhur në varrezat e Prishtinës pasditen e së enjtes për t’ia dhënë lamtumirën e fundit regjisores Arzana Kraja. Në vend të homazheve, të pranishmit kanë mbuluar me lule arkivolin. Një portret bardhezi i regjisores është mbajtur në krye të turmës. Kraja u gjet e vdekur paraditen e së mërkurës në banesën e saj, në lagjen “Kalabria”, në Prishtinë. Ajo ishte 38-vjeçare.

Një fjalim është lexuar nga aktorja Teuta Krasniqi menjëherë pas ceremonisë së varrimit e më pas të pranishmit kanë ngushëlluar familjarët e regjisores, që u lind në Prishtinë, më 3 janar 1981, shkruan sot Koha Ditore.

Aktorja Krasniqi mezi ka nxjerrë fjalët për t’i dhënë zë tekstit të shkurtër.

“Arzanë, lajmi për ikjen tende nga kjo jetë na ka tronditur dhe na ka lënë pa fjalë, ashtu siç na trondisje me art dhe veprat e tua të gjithë neve që të njohëm dhe na dhurove shumë nga mirësia, urtësia, guximi dhe dashuria jote”, ka thënë Krasniqi.

Ka thënë se Kraja kishte ende shumë për të dhënë e për të thënë.

“Kishim nevojë që t’i ende të flisje. Kishim nevojë që ende të punonim së bashku. Sot është ditë pikëllimi për familjen e të afërmit e Arzanës, për miqtë dhe kolegët e saj, për botën e artit e veçanërisht për kinematografinë”, ka thënë ajo. Në pjesën e fundit të fjalimit ka përshkruar pikëllimin me rastin e vdekjes së Krajës e të qenit krenar me veprat e saj.

(Shkrimin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme