Protestantizmi dy shekuj më parë solli në shqip tekstet biblike

Protestantizmi dy shekuj më parë solli në shqip tekstet biblike

Salih Mehmeti Salih Mehmeti 19 November 2019 11:02

Prishtinë, 19 nëntor – Gjithçka kishte filluar në vitin e largët 1819. Një zotëri anglez i quajtur Robert Pinkerton ishte takuar me mjekun e Ali Pashë Tepelenës, Vangjel Meksi. Gjirokastriti kishte pranuar gjithë entuziazëm idenë e Shoqatës Biblike Britanike për përkthimin e Dhjatës së Re në gjuhën shqipe. Meqë prej vitesh Pinkertoni ishte vënë në kontakt me shqiptarë të shkolluar që jetonin në Vjenë, ai kërkoi nga Meksi që për shqipërimin e Dhjatës së Re të përdorej alfabeti latin.

Kjo punë, për të cilën ishin dhënë 300 funte, do të përfundohej vetëm pas disa vjetësh në Korfuz. Gjatë dekadave që do të pasonin, protestantizmi do të krijonte pasuesit e parë, përderisa bashkë me të do të hidhte themel edhe përpjekja për shkrimin e librave në gjuhën shqipe. Ndonëse disa përpjekje për përkthimin e pjesëve të caktuara të ungjijve në gjuhën shqipe kishin ekzistuar te “Meshari” i Gjon Buzukut (1555), Perikopeja e Ungjillit të Pashkës (shek. 16) dhe Anonimi i Elbasanit (shek.17), përkthimi i parë i Dhiatës së Re, ishte pikërisht ai i Vangjel Meksit e që u botua më 1827 nën redaktimin e Grigor Gjirokastritit.

Kështu, një kronologji ngjarjesh të panjohura rreth protestantizmit shqiptar, zbardhje dokumentesh e fakte të reja historike përbëjnë vertebrën e studimit “Lëvizja protestante te shqiptarët, 1816–1908” të autorit amerikan, David Hosaflook.

I mbrojtur si disertacion në vitin 2017, në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë në Universitetin e Tiranës, studimi i misionarit protestant amerikan është përuruar të hënën në mjediset e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, në vazhdën e aktiviteteve “Ditët e Alfabetit” të organizuar nga Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve-Shkup (ISHKP).

Ceremonia e përurimit është hapur me “himnin e Alfabetit Shqip” që ishte shkruar nga Parashqevi Qiriazi, me rastin e mitingut të shkronjave të mbajtur më 14 shkurt 1910. Teksti i kësaj kënge, që ishte zbuluar për herë të parë nga vetë Hosaflook, është interpretuar nga kori i shkollës “Udha e shkronjave”.

Në hapje të përurimit profesoresha nga universiteti “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan, Teuta Toska, ka thënë se libri i Hosaflookut sjell fakte të reja.

Si një paraqitje shkencore e shumanshme, me një bibliografi të pasur është vlerësuar nga profesori dhe gjuhëtari Xhevat Lloshi. Teksa ka folur për librin e misionarit protestant, ai ka thënë se tri fetë e mëdha ndër shqiptarët librat e tyre i kanë pasur në gjuhë të huaja.

Ndërkaq nga Kisha Protestante Ungjillore e Kosovës, pastori Femi Cakolli ka vlerësuar rëndësinë e botimit të këtij libri.

“Për komunitetin protestant të Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe çdo vendi ku mblidhen shqiptarët protestantë zor se do të kishte një dhuratë më të mirë sesa kjo vepër”, ka thënë Cakolli.

Ndërkaq Fazli Gajraku, drejtor i BKK-së, ka vlerësuar punën e vëllimshme të studiuesit amerikan.

David Hosaflook ka shërbyer në Shqipëri dhe Ballkan për 25 vjet me radhë duke ndihmuar në përhapjen e protestantizmit, ndërtimin e kishave dhe ngritjen e jetimoreve.

Në vitin 2014 ai ka themeluar Institutin për Studime Shqiptare dhe Protestante, në të cilin bëjnë pjesë: Dana Stucky, Xhevat Lloshi, Femi Cakolli, Teuta Toska, John Quanrud, Mal Berisha dhe Robb Provost/

(Gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme