“Lirinë dikush po e vret” si protestë ndaj realitetit

“Lirinë dikush po e vret” si protestë ndaj realitetit

23 March 2017 10:01

Prishtinë, 23 mars - Nëpërmjet poezive autori Izet Abdyli ka shprehur mllefin e tij me gjendjen në Kosovën e pasluftës. Abdyli konsideron se liria në këtë vend është duke u vrarë. Pikërisht me synimin që të reagojë kundër së keqes, ai ka botuar vëllimin poetik “Lirinë dikush po e vret”. Në promovimin e librit, të mërkurën, në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, “Pjetër Bogdani”, poezitë e Abdylit janë vlerësuar si vargje që bartin me vete ironinë, satirën e humorin si elemente nëpërmjet të cilave kundërshtohet realiteti.

Redaktori i librit, Xheladin Mjeku, ka thënë se tashmë politika dhe etika sikur janë vënë në një dyluftim të pabarabartë.

“Autori me plot të drejtë e shpreh shqetësimin e tij se këtë liri dikush po e vret. Nga frika se këto veprime të ulëta po e vështirësojnë gjendjen, Izet Avdyli është barrikaduar me gjithë arsenalin e tij poetik që ta mbrojë lirinë për aq sa është e mundur duke i përdorur fjalën, vargun, ironinë...”, ka thënë ai. Kjo vepër, sipas Mjekut, nxjerr në pah një anë të veçantë të krijimtarisë letrare të Abdylit, i cili punon si sekretar i Bibliotekës Kombëtare.

Recensentja e librit, Nexhmije Kastrati, ka thënë se krijuesit letrarë janë marrë pak me politikën. “Autori në këtë libër nuk është ai i vëllimeve të mëparshme. Ai i hap rrugë një stili më ndryshe”, ka thënë ajo.

E recensenti tjetër, Ramadan Thaçi, ka thënë se kur lexohen poezitë e Izet Abdylit vërehet përdorimi i krahasimit, duke e ngritur shpirtin çlirimtar të njeriut mbi interesin, mbi frikën dhe lakminë, mbi egoizmin dhe servilizmin që e gërryen të sotmen dhe po e dëmton të ardhmen e brezave që vijnë.

Vetë autori ka thënë se në këtë libër është munduar ta thotë një brengë, shqetësim a revoltë që e bartin pothuajse të gjithë.

“Unë e kam zgjedhur mënyrën time. E kam thënë nëpërmjet vargut poetik”, ka thënë Abdyli (më shumë, sot në “Kohën Ditore”).

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme