Violinisti virtuoz Iskandar Widjaja konfirmon pjesëmarrjen në “DAM”

Violinisti virtuoz Iskandar Widjaja konfirmon pjesëmarrjen në “DAM”

23 March 2017 09:17

Prishtinë, 22 mars - Violinisti i njohur botëror, virtuozi Iskandar Widjaja, ka konfirmuar në faqen e tij zyrtare pjesëmarrjen në edicionin e 12-të të festivalit ndërkombëtar të muzikës “DAM”, i cili do të zërë vend në kryeqytet për nëntë ditë me radhë.

Dita e fundit e marsit do të shënojë hapjen e festivalit. Widjaja, që aktualisht konsiderohet si një nga violinistët më interesant të gjeneratës së re, do të ngjitet në skenë në natën e pestë të “DAM”-it më 4 prill, për të interpretuar “Simfoninë spanjolle” të Eduardo Lalos i shoqëruar nga Orkestra e Filarmonisë së Kosovës. Violinisti 30-vjeçar i lindur në Berlin, vlerësohet për stilin e veçantë interpretues, imagjinatën muzikore me nuanca dhe tipare zëri nga më të ndryshmet dhe teknikën e jashtëzakonshme.

Festivali DAM do të hapet me interpretimin e operës instrumentale "Errësira" nga kompozitorja luksemburgase me origjinë bullgare Albena Petrovich - Vratchanska. Ambienti i shtypshkronjës “Rilindja” do të shndërrohet në skenë operistike.

“Këtë vit do të tentojmë që publiku të përjetojë një eksperiencë të re koncertale e muzikore. Jo vetëm për faktin se do të dëgjojnë interpretime të artistëve në hapësira jotradicionale, por edhe sepse në një pjesë të mirë të veprave do të prezantohen forma të reja interpretuese, duke shfrytëzuar instrumentet tradicionale në teknika të reja të interpretimit”, ka thënë Dardan Selimaj, drejtor artistik i festivalit në një deklaratë për gazetën (gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme