Na ishte njëherë Pasha Limani “rus”, sot NATO do ngrejë bazë detare

Na ishte njëherë Pasha Limani “rus”, sot NATO do ngrejë bazë detare

06 November 2019 09:37

Dy gjërat që zakonisht të kujtojnë menjëherë Pasha Limanin të zbehen teksa merr rrugën për në Orikum. I pari incidentet shqiptaro-ruse me reagimin historik të detarëve shqiptarë dhe së dyti nëndetëset. Kadare i ka materializuar në letërsi, kurse mbi këtë “fiction” u ndërtua dhe filmi-propagandë “Ballë për Ballë”, shkruan “Shqip”.

Por së fundmi, një tjetër vendim duket se do të rikthejë “lulëzimin” e dikurshëm në Pasha Liman. Pas bazës ajrore në Kuçovë, në Shqipëri pritet të ndërtohet një tjetër bazë e NATO-s, por këtë herë detare. Bëhet fjalë për Pasha Limanin, e cila shumë shpejt mund të përdoret nga Aleanca e Atlantikut të Veriut.

Disa ditë më parë, ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka përmes një letre zyrtare i ka prezantuar komandantit të Komandës Supreme për Europën, gjeneralit amerikan Tod D. Wolters planin e qeverisë shqiptare për modernizimin e Bazës Detare të Pasha Limanit, me qëllim përdorimin e saj nga Aleanca.

Xhaçka ka shprehur gatishmërinë e palës shqiptare për hartimin dhe zbatimin e një plani të përbashkët me NATO- n për zhvillimin e mëtejshëm të bazës detare, konform standardeve të Aleancës së Atlantikut të Veriut.

Historia e Pasha Limanit nis më 1957, kur Flota Luftarake Detare Shqiptare e atëhershme mori nga ish-Bashkimi Sovjetik anijet e para, të cilat i dhanë kësaj Flote karakteristikat e një Flote klasike, ndër të cilat mund të përmendim, katër nëndetëse, dy anije të mëdha, katër Gjuajtës të Mëdhenj Detar, gjashtë anije të Vogla, dymbëdhjetë Katra Silurues etj. Ishte realisht baza e parë e Flotës Detare dhe deri në fund të viteve ‘70-të Flota Luftarake u përhap nga Pasha Limani dhe u vendos edhe në baza të tjera si: Sazan, Durrës, Sarandë dhe Shëngjin.

Për fat në vitin 1974 Flota Luftarake u pajis edhe me anije të tjera kineze, gjashtë gjuajtës të vegjël detar, tridhjetë Katra Silurues etj. Po ashtu në vitin 1987 u përurua edhe Baza Detare e Palermos, në të cilën u vendosën nëndetëset që gjendeshin në Pasha Liman. Baza e Pasha Limanit është baza kryesore e forcave detare ose baza mëmë e pjesës më të madhe të anijeve të flotës detare.

Këtu kanë qenë të dislokuara të paktën deri disa vite më parë Flotilja Detare Jugore, kantieri i riparimit të anijeve dhe batalioni i mbështetjes logjistike të forcave detare. Pra, mbi 50 për qind e kapaciteteve të forcave detare kanë qenë dislokuar në Bazën e Pasha Limanit dhe përbëjnë një nga elementët kryesorë të forcave detare.

Por pas lulëzimit të atëhershëm vjen rënkimi. Baza Detare e ka vuajtur shumë dorën e vandalëve për shkak të teknologjisë dhe moshës së vjetër që kishin anijet.

Gjithsesi, e ka pësuar kantieri i riparimit për atë teknologji dhe dëmtimet u ndjenë deri në vitet më pas. Sot, e kësaj dite, anijet që mund të riparoheshin aty riparohen jashtë.

Aktualisht Forcat Detare përveç misionit të tyre kushtetues të mbrojtjes së tërësisë territoriale detare të Republikës së Shqipërisë, që nga viti 2002 përmbushin edhe misionin e Rojës Bregdetare për kontrollin e zbatimit të ligjit në det dhe shpëtimin e jetës dhe pasurisë në det.

Kanë pasur bashkëpunim me strukturat homologe të vendeve aleate. Në të gjithë molin të paktën deri pak vite më parë ka pasur anije të disa tipeve, duke përfshirë mjete të ish-Bashkimit Sovjetik; anije kineze; motovodetat ish-amerikane dhe ish-italiane.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme